Dhionis Dervishaj, 30 vjeç, është ndaluar nga autoritetet në Portin e Durrësit pasi gjatë kontrollit iu gjetën katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, me një vlerë të përafërt prej 4 400 eurosh.
Sipas burimeve zyrtare, gurët u zbuluan gjatë kontrolleve të ushtruara në automjetet dhe udhëtarët e mbërritur nga Ankona e Italisë. Origjina e tyre nuk është ende e qartë dhe autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar autenticitetin dhe burimin e tyre.
Sekuestrimi u krye në kuadër të një operacioni të përbashkët mes Doganës Durrës dhe strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë shtuar kontrollet në pikën kufitare detare.
Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan gjithashtu një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara, e gjetur në bagazhin e një automjeti tjetër të ardhur nga Italia, si dhe një sasi të dyshuar lënde narkotike, e fshehur në kabinën e drejtuesit të një mjeti.
Të gjitha materialet janë referuar pranë strukturave kompetente për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa vijojnë analizat për të përcaktuar me saktësi natyrën e lëndës narkotike dhe autenticitetin e gurëve të sekuestruar.
Lini një Përgjigje