TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Qershor 2026, 07:28

Mbytja e 15-vjeçarit në pishinë, arrestohet pronari i kompleksit “GLOW”

Shkruar nga Pamfleti

Mbytja e 15-vjeçarit në pishinë, arrestohet pronari i

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar pronarin e pishinës “GLOW”, Ermal Koko, pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 15-vjeçar gjatë ditës së djeshme.

Bëhet me dije se, arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës, të firmosur nga prokurorja e çështjes, Nertila Myftaraj dhe është ekzekutuar nga efektivët e Policisë së Gjirokastrës. Koko është arrestuar në flagrancë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, ndërsa veprimet procedurale janë ndjekur në prani të prokurores së gatshme.

Viktima, 15-vjeçari Arbër Peçi, kishte shkuar në pishinë së bashku me dy shokë të tij. Sipas të dhënave paraprake, pas hyrjes në ujë ai nuk është ndjerë mirë dhe ka mbetur në fund të pishinës. Dyshohet se infrakti ishte shkaku i vdekjes se adoleshentit, megjithatë pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se i mituri ka kërkuar ndihmë me gjeste pak çaste para se të humbiste jetën, por askush nuk hyri në ujë për t’i dhënë ndihmën e parë. Më pas, alarmi është dhënë nga shokët e tij, të cilët njoftuan autoritetet.

Pas ngjarjes, hetimet janë shtrirë edhe ndaj subjektit që administron pishinën, për të verifikuar nëse janë respektuar kushtet ligjore të sigurisë, përfshirë praninë e personelit të trajnuar për ndërhyrje dhe shpëtim në raste emergjence.

Deri më tani, në Policinë e Gjirokastrës janë shoqëruar për t'u marrë në pyetje edhe shtatë persona të tjerë, mes tyre dy shokët e viktimës dhe anëtarë të stafit të pishinës.

Gjithashtu, mësohet se pishina private 'Glow', ku ndodhi ngjarja e rëndë është në pronësi të Ermal Kokos, bashkëshortit të nënkryetares së bashkisë. 

Lini një Përgjigje