Një i ri ka mbetur i plagosur me thikë pasditen e kësaj të enjteje në Shëngjin. Ngjarja është regjistruar në rrugën e Kunës, ndërsa ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet që çuan në plagosjen e tij.
R. L ndodhet në Spitalin Rajonal të Lezhës nën kujdesin e bluzave të bardha, ndërsa policia njofton se ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
"Rreth orës 16:20, jemi njoftuar se në Spitalin Rajonal Lezhë është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi R. L., rreth 30 vjeç, i cili dyshohet se është plagosur me mjet prerës (thikë) në dorë.
Shtetasi ndodhet në kujdesin e mjekëve, duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve."-njofton policia.
Forcat e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të plagosjes, si edhe për identifikimin dhe kapjen e autorit, nëse ai është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lini një Përgjigje