Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 55-vjeçares Bardhe Ziçi, e cila u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Shtjefën Ziçi, më 9 korrik në Shkodër. Sipas policisë, pista kryesore e hetimit mbetet konflikti i nxitur nga xhelozia mes çiftit.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë të administruara nga grupi hetimor rezulton se para ngjarjes 62-vjeçari i kishte kërkuar bashkëshortes telefonin celular, çka ka sjellë një debat mes tyre. Pas përplasjes, ai është futur në banesë, ka marrë armën e gjahut që e posedonte me leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Burime hetimore bëjnë të ditur se autori i dyshuar ende nuk ka dhënë një deklarim zyrtar për shkak të gjendjes së tij psikologjike pas ngjarjes. Ndërkohë, pala mbrojtëse ka bërë të ditur se do të mbështesë versionin se vrasja ka qenë aksidentale.
Sipas avokatëve, Shtjefën Ziçi kishte marrë armën për ta pastruar dhe nuk kishte dijeni se ajo ishte e mbushur me fishekë. Ata pretendojnë se arma ishte ngarkuar disa ditë më parë nga bashkëshortja e tij, pa dijeninë e autorit të dyshuar.
Megjithatë, bazuar në provat e deritanishme, përfshirë pamjet filmike dhe dëshmitë e mbledhura, policia vijon të dyshojë se motivi i krimit lidhet me xhelozinë.
Sipas burimeve pranë hetimit, menjëherë pas arrestimit, 62-vjeçari u ka thënë efektivëve në vendngjarje se nuk ishte penduar për atë që kishte bërë. Kjo deklaratë nuk konsiderohet ende dëshmi zyrtare, pasi nuk është dhënë në kuadër të procedurave të marrjes në pyetje.
Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë dyshimet për një motiv xhelozie, duke këmbëngulur se ngjarja ishte pasojë e një shkrepjeje aksidentale të armës.
Ndërkohë, burime pranë familjes bëjnë me dije se Shtjefën Ziçi ka kërkuar që për bashkëshorten të zhvillohen të gjitha ceremonitë mortore sipas traditës së zonës së Dukagjinit dhe që varrimi të organizohet nga familja ku ajo ishte martuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës, pranë dyqanit ushqimor që çifti administronte. Pas debatit, Bardhe Ziçi tentoi të largohej për t'i shpëtuar sulmit, por u godit nga dy të shtëna me armë dhe humbi jetën në pragun e banesës.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze, oficere në repartin ushtarak në Vau i Dejës.
Shtjefën Ziçi punonte si taksist me automjetin e tij privat dhe merrej gjithashtu me furnizimin e dyqanit të familjes, ku punonte edhe bashkëshortja.
Sipas banorëve të zonës, bashkëshortët njiheshin si njerëz të qetë dhe nuk ishin raportuar konflikte të mëparshme mes tyre. Ata punonin së bashku dhe bënin një jetë normale, ndaj ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitet.
Policia sekuestroi armën e përdorur në krim, një armë gjahu me leje, si dhe arrestoi autorin në vendngjarje. Ai nuk tentoi të largohej dhe nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit.
Grupi hetimor vijon analizimin e provave dhe të pamjeve të kamerave të sigurisë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe rrethanat e ngjarjes.
Lini një Përgjigje