Një person ka mbetur i plagosur me armë gjahu mbrëmjen e së dielës në fshatin Vajkal, të Bashkisë Bulqizë, pasi autori dyshohet se e ka ngatërruar me kafshë të egra.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në një zonë bujqësore të fshatit. Sipas informacioneve paraprake, autori ka qëlluar me armë gjahu tip çifte, duke dyshuar se në tokën e mbjellë ndodheshin kafshë të egra që po dëmtonin të mbjellat. Vetëm pas të shtënave ai ka konstatuar se kishte plagosur një person.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Bulqizës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kryen veprimet e para hetimore dhe nisën punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Grupi hetimor po verifikon dëshmitë dhe provat e mbledhura për të përcaktuar dinamikën e ngjarjes, ndërsa ndaj autorit pritet të merren masat procedurale që do të diktohen nga rezultatet e hetimit.
Lini një Përgjigje