
Suksesi i tij i jashtëzakonshëm nuk erdhi rastësisht, por ishte produkt i një udhëtimi të përshkuar me pengesa, refuzime dhe këmbëngulje të palodhur...
Historia frymëzuese e Uollt Disnej: Dhjetë mësime të vyera nga jeta e ekranizuesit të përrallave të famshme Uollt Disnej mbetet një nga figurat më frymëzuese të shekullit të kaluar. I lindur më 5 dhjetor 1901 në Çikago, suksesi i tij i jashtëzakonshëm nuk erdhi rastësisht, por ishte produkt i një udhëtimi të përshkuar me pengesa, refuzime dhe këmbëngulje të palodhur.
Ja cilat janë 10 pika thelbësore nga jeta e tij, të cilat na mësojnë se si të ndjekim ëndrrat tona:
1. Fillimet modeste: Nuk lindi me të gjitha të mirat
Familja e tij kaloi shumë vite në lëvizje të vazhdueshme nga një shtet në tjetrin, ndërsa prindërit e tij kërkonin punë dhe stabilitet ekonomik. Pra që i ri, Uollt e ndjeu varfërinë në lëkurë, duke qenë i detyruar të jetonte bashkë me miqtë për shkak të mungesës së parave për të paguar vetë qiranë. Por këto vështirësi nuk e frenuan, përkundrazi hodhën bazat e vendosmërisë së tij për të arritur diçka më të madhe.
2. Refuzimi dhe mospërfillja: I thanë se “i mungonte kreativiteti”
Në fillimet e karrierës, redaktorët e gazetave refuzuan vazhdimisht karikaturat e tij, duke i thënë se ishin pa frymëzim dhe shije artistike. Por në vend se të demotivohej nga këto kritika, Disnej vendosi t’i besonte vetes dhe vazhdoi të përmirësonte artin e tij. Kjo na tregon se shpeshherë suksesi vjen kur t’i vetë i beson ëndrrave të tua, madje edhe kur të tjerët nuk e bëjnë këtë.
3. Dështimi si një shkallare drejt suksesit: Më shumë se 300 herë pa u dorëzuar
Falimentimi i studios së tij të parë, Laugh-O-Gram, ishte vetëm një nga dështimet e shumta që përjetoi Disnej. Në total, ai përballoi mbi 300 refuzime dhe dështime, përpara se të arrinte suksesin e madh. Ai e shihte çdo dështim si një hap më afër suksesit, duke thënë: “Kur beson tek diçka, besoje plotësisht dhe mos ngurro!”.
4. Familja si burim frymëzimi: Të shtunat i kalonte përherë me vajzat e tij
Pavarësisht orarit shumë të ngjeshur të punëve, Disnej gjithmonë linte një kohë për familjen. Të shtunave dilte me dy vajzat e tij, duke shijuar kohën së bashku në parqet e zonës. Nga këto momente të thjeshta por plot dashuri, atij i lindi ideja e Disneyland - një park i krijuar posaçërisht që familjet të argëtoheshin së bashku në një ambient magjik.
5. Durimi në planifikim: 7 vite për të krijuar Disneyland-in e famshëm
Ndryshe nga miti se “suksesi vjen menjëherë”, Uollt Disnej punoi me durim për 7 vite vetëm për të planifikuar Disneyland-in. Ai kishte një vizion të qartë: “Vendi më i lumtur në botë!”. Kjo na mëson se projektet e mëdha kërkojnë kohë, durim dhe besim të patundur në vizionin përfundimtar.
6. Vendimi i guximshëm: La shkollën për pasionin e tij
Edhe pse e vlerësonte shumë arsimin formal, Disnej nuk ngurroi të largohej nga shkolla e mesme për të ndjekur pasionin e tij të vërtetë: animacionin. Ky vendim i guximshëm, na kujton se ndonjëherë rruga drejt suksesit kërkon zgjedhje të vështira, por të nevojshme.
7. Punët e vështira: Çdo punë ishte një hap përpara
Për të financuar ëndrrën e animacionit, Disnej punoi në një sërë punësh - nga shitës gazetash në tren, deri tek shofer ambulance në kohën e Luftës së Parë Botërore. Ai nuk e shihte asnjë punë si të parëndësishme; çdo para që fitonte, e përdorte për të investuar në të ardhmen e tij artistike.
8. Përballja me frikën: Tmerri para kamerave
Kur iu desh të prezantonte Disneyland-in në televizion, Disnej pranoi se ishte “i frikësuar për vdekje”. Megjithatë, ai nuk e lejoi frikën që ta ndalte. Kjo tregon se guximi nuk është mungesa e frikës, por aftësia për të vepruar edhe kur je i frikësuar.
9. Basti i fortë mbi “Borëbardhën”: Lënia si garanci e shtëpisë
Prodhimi i filmit “Borëbardha dhe të Shtatë Xhuxhat”, konsiderohej i pamundur nga industria e kohës. Kur mbaruan paratë, Disnej la si garanci në një bankë shtëpinë e tij për të përfunduar filmin. Këtë rrezik të madh e shpërbleu një sukses të jashtëzakonshëm financiar por edhe në imazh, duke shpëtuar studion e tij si dhe duke revolucionarizuar animacionin.
10. Trashëgimia: ëndrrat mund të realizohen
Uollt Disnej nuk krijoi vetëm një perandori në fushën e tij, por provoi me vepra se me këmbëngulje dhe guxim, ëndrrat mund të bëhen realitet. Fjalët e tij përfundimtare na shërbejnë si burim frymëzimi edhe sot: “Të gjitha ëndrrat tona mund të bëhen realitet, nëse kemi guximin t’i ndjekim ato!”./Përshtati "Pamfleti" nga "Lifehack"
Lini një Përgjigje