Një analizë sistemike mbi 900 martesa brenda Ndrangheta-s hedh dritë mbi arkitekturën e pathyeshme të organizatës. Studimi dëshmon se familjet mafioze i përdorin lidhjet martesore si instrumente strategjike për të garantuar besnikërinë absolute, për të arbitruar konfliktet dhe për të çimentuar hegjemoninë në tregun ndërkombëtar të krimit...
Kur Giulia Immaculata ishte vetëm 13 vjeçe, prindërit e saj - pjesëtarë të klanit mafioz Coluçio - e detyruan të ndahej nga i dashuri i saj i adoleshencës për t’u martuar me Cosimo Commisso-n, nipin e bosit të fuqishëm Vincenzo Macrì.
Në vitin 2014, Macrì mbante rolin e kreut të një prej klaneve më me ndikim të ‘Ndrangheta-s, mafias kalabreze. Ky rast, sado ekstrem që mund të duket në përmasën njerëzore, dëshmon se brenda kësaj organizate, martesat tejkalojnë çdo ndjenjë emocionale.
Ato janë ekskluzivisht një çështje strategjie familjare. Një analizë e hollësishme e qindra lidhjeve martesore brenda grupit kohët e fundit, tregon se familjet më të fuqishme zënë pikërisht epiqendrën e këtij rrjeti kompleks ndërveprimi.
Studimi, i publikuar në revistën prestigjioze shkencore PLOS One, zbulon se këto martesa jo vetëm që e forcojnë sindikatën kriminale, por e bëjnë atë jashtëzakonisht rezistente ndaj goditjeve të jashtme dhe operacioneve policore.
Ndrangheta konsiderohet sot si një nga organizatat kriminale më të mëdha dhe më të rrezikshme në shkallë globale. E lindur në shekullin XIX midis familjeve që merreshin me kontrabandë dhe vjedhje bagëtish në rajonin e varfër të Kalabrisë, sot ajo shtrihet në të 5 kontinentet e botës dhe dominon trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Në dallim nga mafiat e tjera italiane, si Cosa Nostra e Siçilisë apo Camorra e Napolit, kjo organizatë është e ndërtuar rreptësisht mbi lidhjet e gjakut. Klanet familjare - të njohura si ndrine - përbëjnë njësitë bazë, atomike dhe të pathyeshme të strukturës së saj.
Duke studiuar 906 martesa që përfshinin anëtarë të 623 klaneve të ndryshme, një ekip studiuesish nga Universiteti i Milano-Bicocca-s arriti të çkodonte strukturën e fshehtë të organizatës.
Përmes analizimit të mijëra dokumenteve gjyqësore dhe regjistrave të drejtorive antimafia, ata identifikuan rreth 4.500 anëtarë, duke i dhënë secilit një profil unik. Çdo familje u trajtua si një “nyje” në rrjet, ku martesat shërbenin si lidhjet kryesore, duke i dhënë mundësi studiuesve të hartonin hartën e aleancave të krijuara gjatë dekadave të fundit.
Sipas Maurizio Catino-s, sociolog në Universitetin e Milanos, zbulimi i parë i rëndësishëm është se klanet më të fuqishme janë gjithashtu ato më aktivet në rrjetin e martesave. Ato zotërojnë më shumë lidhje, zënë pozicione strategjike dhe lidhen preferencialisht me familje të tjera me ndikim të ngjashëm.
Zbulimi i dytë është ndoshta më befasuesi: nuk janë vetëm klanet e mëdha, ato që e mbajnë të bashkuar rrjetin, por aleancat mes klaneve më pak të dukshme funksionojnë shpesh si shtylla strukturore që garantojnë stabilitetin e të gjithë sistemit.
Studimi vëren se martesat brenda të njëjtit klan (endogamia) janë relativisht të rralla, rreth 5 për qind, por te klanet elitare kjo shifër dyfishohet. Ky izolim i gjakut shërben për të mbajtur pasurinë dhe sekretet brenda një rrethi shumë të ngushtë, ngjashëm me strategjitë e familjes Mediçi gjatë Rilindjes.
Zbulimi i tretë hedh dritë mbi rolin kritik të grave në një strukturë thellësisht patriarkale dhe patrilokale, ku nusja zhvendoset fizikisht te familja e dhëndrit. Sara Roçhi, bashkautore e studimit, shpjegon se realiteti është kompleks.
Suksesin më të madh e kanë klanet që kombinojnë strategjitë, duke “dhënë” dhe “marrë” gra në mënyrë të balancuar. Martesat janë një mekanizëm qeverisës, pasi organizatat ilegale nuk mund t’u drejtohen mjeteve ligjore si kontratat apo gjykatat.
Krushqia zëvendëson ligjin për të zgjidhur probleme praktike si besimi, koordinimi dhe mbi të gjitha, parandalimi i tradhtisë. Gratë, si në rastin e Giulias, shihen si një pasuri strategjike e familjes, ndonëse mbeten pasive në vendimmarrje.
Sipas autorit të tretë të studimit, Alberto Aziani, ato kanë misionin jetik të lindin trashëgimtarë, të mbrojnë reputacionin e klanit dhe të transmetojnë te brezat e rinj vlerat e besnikërisë absolute dhe omertà-s (kodit të heshtjes).
Edhe pse ikonografia e kinemasë, si filmi The Godfather (Kumbari), nis me një dasmë, realiteti i Ndrangheta-s ndryshon rrënjësisht nga Cosa Nostra-s siçiliane. Te kjo e fundit, familja mafioze nuk përkon domosdoshmërisht me atë biologjike dhe shpesh i kufizojnë lidhjet e gjakut brenda njësive për të shmangur dobësitë.
Ndërsa te Ndrangheta, për shkak se organizata mbështetet totalisht te gjenetika, martesa mbetet instrumenti parësor strategjik për të ndërtuar besimin, për të siguruar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të ruajtur vazhdimësinë e klanit përgjatë brezave./Pamfleti nga “El País”
Lini një Përgjigje