Një nga lëvizjet më të rëndësishme pritet të jetë në krye të Departamentit të Policisë Kriminale, një prej strukturave më të rëndësishme në Policinë e Shtetit, që konsiderohet edhe si pozicioni i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë policore.
Pas ndryshimeve të fundit në drejtimin e disa drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita ka nisur një tjetër fazë të riorganizimit të strukturave drejtuese, këtë herë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kryepolici ka hapur zyrtarisht garën për emërimin e drejtuesve të tre departamenteve kyçe: Departamentit të Policisë Kriminale, Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Sipas informacioneve, pas hapjes së garës, të gjithë oficerët e Policisë së Shtetit që mbajnë gradën "drejtues" kanë të drejtë të aplikojnë për këto pozicione. Ky proces konsiderohet pjesë e riformatimit të strukturave drejtuese, me synim forcimin e efikasitetit të organizatës dhe përzgjedhjen e drejtuesve përmes një procedure konkurruese.
Një nga lëvizjet më të rëndësishme pritet të jetë në krye të Departamentit të Policisë Kriminale, një prej strukturave më të rëndësishme në Policinë e Shtetit, që konsiderohet edhe si pozicioni i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë policore.
Ky departament drejtohet që prej 1 gushtit 2022 nga Neritan Nallbati, të cilit i ka përfunduar mandati. Burime pranë Policisë bëjnë me dije se një nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e këtij departamenti është Ervin Hodaj, aktualisht drejtor i komanduar i Policisë së Durrësit.
Ndryshime pritet të ketë edhe në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili drejtohet që nga viti 2020 nga Pëllumb Seferi. Gjatë mandatit të tij, ky departament është angazhuar në bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe në realizimin e një numri të konsiderueshëm ekstradimesh. Sipas burimeve, një nga kandidatët që pritet të hyjë në garë për drejtimin e këtij departamenti është Idajet Faskaj.
Po ashtu, procesi i riorganizimit pritet të përfshijë edhe Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, i cili aktualisht drejtohet nga Saimir Muça. Ky i fundit u emërua në këtë detyrë rreth një vit më parë, gjatë kohës kur në krye të Policisë së Shtetit ishte Ilir Proda. Edhe për këtë departament pritet të ketë kandidatura të reja në kuadër të garës së hapur nga drejtori i Përgjithshëm.
Burime bëjnë me dije se riformatimi nuk do të ndalet vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme. Pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes për tre departamentet, pritet të pasojnë ndryshime edhe në disa drejtori vendore ku ende nuk janë bërë lëvizje. Konkretisht, në fokus janë drejtoritë e qarqeve Berat, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Durrës.
Në rast se Ervin Hodaj zgjidhet në krye të Departamentit të Policisë Kriminale, atëherë do të jetë i nevojshëm emërimi i një drejtuesi të ri për Policinë e Durrësit, ku ai ushtron aktualisht detyrën si drejtor i komanduar.
Me këtë proces, drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita vijon ristrukturimin e niveleve drejtuese të Policisë së Shtetit, pas lëvizjeve të ndërmarra më herët në drejtoritë vendore.
Ndryshimet synojnë plotësimin e posteve kyçe përmes një gare të hapur, ndërsa emërimet e reja pritet të përcaktojnë drejtimin e strukturave më të rëndësishme të policisë për vitet në vijim.
Lini një Përgjigje