
Para godinës së Kuvendit, protestuesit kanë ndërprerë përkohësisht marshimin dhe janë ulur në tokë, duke vijuar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe kundër klasës politike.
Protestuesit kanë ndaluar përkohësisht marshimin e tyre para godinës së Kuvendit, ku janë stacionuar dhe janë ulur në tokë, duke e kthyer këtë ndalesë në një moment simbolik të protestës së tyre kundër qeverisë dhe klasës politike.
Marshimi nisi pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, ndërsa qindra qytetarë përshkuan disa nga rrugët kryesore të Tiranës, për t'u ndalur më pas përpara Parlamentit. Aty, protestuesit vijojnë të qëndrojnë të ulur për disa minuta, me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, duke përsëritur mesazhet e tyre kundër institucioneve dhe drejtuesve politikë.
Gjatë tubimit para Kuvendit, qytetarët kanë brohoritur vazhdimisht "Rama jepe dorëheqjen", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg, Berisha në burg", si edhe "Poshtë patronazhistët!", duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj zhvillimeve politike dhe duke kërkuar përgjegjësi nga e gjithë klasa politike.
Atmosfera para Parlamentit mbetet e qetë, ndërsa protestuesit vijojnë protestën në mënyrë paqësore. Ndalesa para Kuvendit shihet si një etapë e marshimit të nisur nga Kryeministria, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se qëllimi i tyre mbetet ushtrimi i presionit qytetar ndaj institucioneve.
Tubimi para Kuvendit është pjesë e protestës së 26-të radhazi, e cila prej javësh po zhvillohet çdo mbrëmje në kryeqytet, me qytetarët që kërkojnë ndryshime politike dhe mbajtjen e përgjegjësive nga drejtuesit e vendit.


Protestuesit kanë vijuar edhe mbrëmjen e sotme marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës së 26-të radhazi kundër qeverisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë lëvizjes nëpër kryeqytet, qytetarët kanë brohoritur njëzëri "Rama jepe dorëheqjen!", "Rama, Rama, f*ck you!" dhe "Ju erdhi fundi!". Kjo e fundit lidhet me deklaratën e bërë më herët nga kryeministri Edi Rama në një intervistë për Financial Times, ku ai tha se kritikëve të tij u përgjigjet me shprehjen "f*ck you".
Marshimi është shoqëruar me pankarta, brohoritje dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë vijuar lëvizjen në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Aktualisht, protestuesit ndodhen pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur dhe po marshojnë në drejtim të Kuvendit, në vijim të protestës që zhvillohet prej 26 ditësh. Organizatorët kanë theksuar se protesta do të vijojë çdo mbrëmje deri në plotësimin e kërkesave të tyre, me fokus kryesor dorëheqjen e kryeministrit.
Protestuesit kanë vijuar edhe këtë mbrëmje me mesazhet simbolike gjatë tubimit para Kryeministrisë. Krahas posterave të vendosur më herët me figurat e kryeministrit Edi Rama, ministrit Taulant Balla dhe deputetes Zegjine Çaushi, në "murin e të kërkuarve" janë shfaqur edhe postera me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, si dhe deputeten socialiste Sara Mila.

Posterat, të stilizuar në formatin "Wanted", janë përdorur nga protestuesit si formë simbolike e shprehjes së pakënaqësisë ndaj figurave politike, pa dallim mazhorancë apo opozitë.

Një poster i veçantë i kushtohej deputetes Sara Mila, ku ajo ironizohej me mbishkrimin: "Përfaqësuese e të burgosurve në Parlament".
Vendosja e posterave është shoqëruar me brohoritje dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila po zhvillohet për të 26-ën ditë radhazi para godinës së Kryeministrisë.

Eksperti i IT-së, Genti Progni, mbajti fjalën e tij gjatë protestës së 26-të të opozitës para Kryeministrisë, ku ngriti një sërë pretendimesh lidhur me monitorimin e pjesëmarrësve në tubim.
Sipas Prognit, në zonën e protestës janë vendosur kamera inteligjente, ndërsa një automjet i Policisë Rrugore ka ndjekur marshimin me pajisje monitorimi. Ai pretendoi se qëllimi i këtyre mjeteve është profilizimi i protestuesve dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre.
"Kanë vendosur të gjitha mënyrat si të na profilizojnë dhe të na bëjnë presion. Kamera lart është inteligjente, bashkë me një makinë të Rrugores që bëri dje marshimin për të na profilizuar. Mos hani asnjë presion, nuk kanë çfarë t'ju bëjnë. Nuk kemi frikë", deklaroi Progni.
Ai shtoi gjithashtu se një numër në aplikacionin WhatsApp po u dërgon mesazhe protestuesve duke u kërkuar të mos marrin më pjesë në protestat antiqeveritare. Progni u bëri thirrje qytetarëve ta raportojnë këtë numër.
"Është edhe një numër në WhatsApp që duhet ta bëjmë report. U shkruan qytetarëve duke u kërkuar të largohen sa më shpejt nga protesta antiqeveritare. Mos kini frikë dhe mos u dorëzoni ndaj presionit", u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Progni përmendi edhe çështjen e kompanisë "5D", për të cilën tha se ka shkaktuar dëme në banesat e qytetarëve të Tiranës. Ai falenderoi gjithashtu disa influencues që, sipas tij, i janë bashkuar kauzës së protestës, ndërsa në fund ngriti edhe një denoncim për zonën e Lekbibajt.
"Dua të bëj edhe një denoncim për Lekbibajn. Lumi i fshatit është quajtur përrua, që të mund të ndërtohen diga dhe të prishet ai. Kjo duhet të marrë fund", deklaroi Progni.
Banorja e Rrjollit, Luçiana Koka ka marrë fjalën gjatë protestës së zhvilluar këtë mbrëmje përpara godinës së Kryeministrisë, ku u bëri thirrje të rinjve të vijojnë angazhimin e tyre në protestë dhe në rrjetet sociale, duke deklaruar se, sipas saj, qytetarët kanë arritur të "thyejnë algoritmin" e kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e saj, Koka u shpreh se të rinjtë kanë qenë forca kryesore e protestës dhe i ftoi ata të vazhdojnë mobilizimin edhe në platformat sociale.
"Unë kam vetëm një thirrje për të gjithë të rinjtë që i janë bashkuar protestës dhe që i kanë dhënë jetë kësaj proteste. Ju keni thyer algoritmin e kryeministrit, për të cilin ishte mbret prej 13 vitesh! Por, puna jonë dhe e juaja nuk ka mbaruar. Ne duhet të vazhdojmë të thyejmë algoritmin edhe më shumë, ta çojmë algoritmin tek e drejta jonë. Që ne të bojkotojmë kryeministrin që na ka bojkotuar për 13 vite, të futemi të gjithë live, të ndajmë pankartat e mrekullueshme që janë në shesh dhe t'i tregojmë se jemi më shumë se ai, më artistë se ai, më kreativë se ai!", u shpreh ajo.
Më tej, banorja e Rrjollit tha se protesta ka arritur të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare falë angazhimit të qytetarëve.
"Me këtë protestë madhështore keni arritur të jeni në të gjitha mediat ndërkombëtare me kreativitetin tuaj, ndërsa ata në pushtet paguajnë miliona që të marrin disa minuta në mediat ndërkombëtare, ndërsa ju e keni bërë me kreativitetin dhe energjinë tuaj. Do vijojmë çdo ditë e më shumë të jemi më kreativë që të tregojmë të vërtetën e Shqipërisë."
Në fund të fjalës së saj, Luciana Koka u bëri thirrje pjesëmarrësve që të mos lejojnë askënd të flasë në emër të protestës pa mandatin e qytetarëve.
"Një thirrje kam edhe për ata që mendojnë se mund të përfaqësojnë protestën: askush nuk ka të drejtë të flasë në emrin tuaj, apo të bëjë grupime dhe mbledhje në emrin tuaj dhe të nxjerrë përfaqësues. Përfaqësuesit do i nxirrni ju nga sheshi dhe zëri juaj do jehojë lart e më lart!", përfundoi ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Një prej qytetarëve që mori fjalën në protestën e zhvilluar në Tiranë bëri thirrje për mbrojtjen e interesit kombëtar.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi deklaroi se kishte marrë mesazhe nga studentë të Akademisë së Policisë, duke bërë një pretendim për helmime të përsëritura. Ai u bëri thirrje institucioneve që të ndërmarrin veprime ndaj kryeministrit.
“Ka momente ne historinë e një kombi kur pyetja nuk është kush është qeveria por kush jemi dhe çfarë Shqipëria do t’u lëmë brezave. Sot rrezikojmë lidhjen që kemi me toklën, që e kemi trashëguar dhe është larë me gjak. Sot kemi detyrim ta ruajmë për nipërit dhe fëmijët tanë. Flasin për ligje procedura dhe investime, por nëse toka shqiptare nuk mbetet në duart e shqiptarëve, çdo të na mbesë. Kombi ynë i ka mbijetuar pushtimeve dhe nuk e braktisën Atdheun. Atdheun nuk e masim me metra katrorë por me dashurinë që kemi për të dhe gatishmërinë për të luftuar për të. Rroftë Shqipëria!
Sot kam marrë mesazhe nga studentët e Akademisë së Policisë që janë helmuar 2 herë brenda 2 muajsh. Kjo polici nuk mbron dot studentët e saj, sot të marrin vendimin të arrestojnë Ramën”, tha ai.

Një emigrant shqiptar mori fjalën në protestën e 26-të qytetare para Kryeministrisë, ku mijëra protestues kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në fjalimin e tij, ai falenderoi pjesëmarrësit për qëndresën, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që t'i bashkohen protestës.
Ai e cilësoi protestën si një lëvizje qytetare që, sipas tij, vendos interesin e Shqipërisë mbi përkatësitë politike.
"Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët, si për ju, për emigrantët, çdo individ, çdo shqiptar që mbi të gjitha, mbi partitë, vendos atdheun. Mirënjohje për të gjithë ju! Sot jemi në ditën e 26-të të qëndresës sonë të papushim," u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, emigranti kritikoi kryeministrin Edi Rama dhe tha se protesta do të vazhdojë në mënyrë paqësore deri në arritjen e objektivave të saj.
"Ne jemi këtu për të përcjellë mesazhin më të bukur paqësor, që ti do të rrëzohesh me paqen e këtyre njerëzve. Ti do të marrësh fund nga paqja e këtij populli. Ne nuk e njohim tradhtinë, nuk e njohim pabesinë, por kemi në gen qëndresën dhe revoltën," deklaroi ai.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua diasporës. Ai u kërkoi emigrantëve që, sipas mundësive, të lënë reagimet në rrjetet sociale dhe të jenë fizikisht pranë protestuesve.
"Si emigrant, dua t'u përcjell një mesazh të gjithë emigrantëve kudo që ndodhen. Gjithsecili e ka mundësinë në këtë kohë të jetë krahu juaj në mbështetjen tuaj këtu në qëndresë. Mjaft më me tastierat e Facebook-ut e të rrjeteve sociale! Sot ky popull ka nevojë për ne këtu," tha ai.
Në përfundim, ai iu drejtua edhe bashkëqytetarëve të tij, duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë.
"Kjo është situata më kritike që atdheu ynë po përjeton. Dikur burrat luftonin pushtuesin, sot pushtuesin e kemi të brendshëm. Ju bëj thirrje të gjithëve të jemi këtu, në mbështetje të shqiptarëve, për Shqipërinë dhe për shqiptarët," përfundoi emigranti.
Revolucioni Flamingo ka hyrë sot në ditën e 26-të. Ajo që nisi si një protestë kundër projektit për Zvernecin është kthyer tashmë në një revoltë qytetare kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.
Qindra qytetarë janë mbledhur edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik. Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit kanë mbushur bulevardin, ndërsa kanë brohoritur në kor: "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg".
Pjesë e protestës është bërë edhe diaspora. Një emigrant i ardhur nga Londra tha se kishte udhëtuar posaçërisht për t'iu bashkuar revoltës.
"Kam udhëtuar nga Londra. Kam udhëtuar t'i japim shkelmin e fundit Edi Ramës. Na kanë vjedhur. Ky na shiti gurët, detin, na shet malet tani. Nuk do ta lejojmë. Diaspora në Londër, Francë, Belgjikë, kudo është me ju. Së shpejti do t'ju bashkohet për t'i dhënë shkelmin këtij hajduti", u shpreh ai.
Atmosfera para Kryeministrisë është shoqëruar me brohoritje dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen.
Një tjetër qytetar u shpreh se presioni i qeverisë nuk i ka frikësuar protestuesit.
"Pse mos të merremi, kur ky ka nisur të merret me ne, më shumë se kurrë më parë. Është duke dhënë shkelmat e fundit. Nëse qëndrojmë të bashkuar, nuk ka tiran që të na thyejë", deklaroi ai.
Ndërsa protesta hyn në javën e katërt, kërkesat e qytetarëve kanë kaluar përtej kundërshtimit të projektit në Zvernec. Tubimi po merr gjithnjë e më shumë karakterin e një revolte politike, ku në qendër të thirrjeve janë largimi i Edi Ramës, ndëshkimi i korrupsionit dhe refuzimi i gjithë klasës politike që, sipas protestuesve, ka qeverisur vendin në këto dekada.

Gazetari Marsel Rupi mori fjalën në protestën e 26-të qytetare para Kryeministrisë, ku mijëra tubues kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij, ai u shpreh se protesta nuk mund të ndalet, pavarësisht, sipas tij, përpjekjeve për ta zbehur atë.
Rupi iu drejtua fillimisht protestuesve dhe diasporës, ndërsa ironizoi edhe patronazhistët.
"Mirëmbrëma shqiptarë të lirë e të ndershëm. Mirëmbrëma patronazhistë dhe na e bëni hallall se jua thyem algoritmin. Nuk merrni dot 'like' dhe 'views' me gjithë kërcënimet, sepse nuk janë të blera", u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, gazetari komentoi rolin e diasporës në protestë, duke thënë se shqiptarët jashtë vendit do të rikthehen sërish për t'iu bashkuar tubimeve.
"Mirëmbrëma diaspora. Këta harrojnë që kur diaspora goditet, shqiptarët ngrihen në këmbë. Diaspora do të niset sërish dhe do të jetë këtu. Ata fluturojnë me shpirt këtu", deklaroi Rupi.
Gjithashtu, ai iu bëri thirrje qytetarëve që t'i bashkohen protestës, duke paralajmëruar për pasojat e emigrimit masiv.
"Nëse sot nuk dalim në rrugë, nuk do të kemi më mundësinë të shohim njeri majtas e djathtas, sepse nuk do të ketë mbetur më njeri, do të jenë larguar! Nesër më shumë! Rroftë Shqipëria e lirë dhe e ndershme", tha ai.
Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, duke përsëritur thirrjet për largimin e qeverisë dhe ndryshim politik.
Nga protesta e sotme u bë thirrje për një mobilizim masiv më 27 qershor, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët nga i gjithë vendi dhe diaspora t'i bashkohen tubimit. Pritet kjo protestë do të shënojë një fazë të re të lëvizjes qytetare
Organizatorët e protestës kundër qeverisë kanë shpallur zyrtarisht mbajtjen e një proteste mbarëkombëtare më 27 qershor në Tiranë. Një prej tyre u ka bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të bashkohen në atë që e cilësojnë si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të organizuara deri më tani.
Organizatorët deklaruan se tubimi i së shtunës do të shënojë një fazë të re të lëvizjes qytetare. Ata u kërkuan pjesëmarrësve që të angazhohen për të sjellë sa më shumë qytetarë në Tiranë, duke e konsideruar protestën si një moment vendimtar për vijimin e kauzës së tyre.
Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u theksua se mobilizimi nuk duhet të kufizohet vetëm në kryeqytet, por duhet të përfshijë qytetarë nga çdo cep i vendit. Organizatorët i ftuan të gjithë ata që mbështesin kërkesat e protestës të marrin pjesë në tubim, duke e cilësuar atë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare dhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve.
Sipas tyre, protesta e 27 qershorit synon të jetë më e madhja e organizuar deri më tani, me pjesëmarrje nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u bë apel që gjithçka të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe me respekt ndaj rendit publik.
Prej 26 ditësh, qytetarët protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke kundërshtuar politikat e qeverisë. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit, janë mbajtur fjalime dhe janë artikuluar kërkesa për ndryshime politike.
Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat nuk do të ndalen dhe se protesta mbarëkombëtare e 27 qershorit shihet prej tyre si një moment kyç për zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare. Ata kanë theksuar se synimi është vijimi i protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë tubimit para Kryeministrisë, një protestuese mbajti një fjalim me tone të forta, ku kërkoi jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe hetim të plotë dhe sekuestrim të pasurive që, sipas saj, janë përfituar në mënyrë të paligjshme.
"Kam dy fjalë për Edi Ramën. Ramiz Alia tha, po krijojmë një klasë kapitaliste që të na mbajë në pushtet në përjetësi, por siç duhet, përjetësia duhet të mbarojë. Ose është duke mbaruar. Kërkojmë jo vetëm dorëheqjen, por edhe hetim deri në maksimum dhe sekuestrim të pronave që kanë vjedhur."-u shpreh ajo.
Në vijim të fjalës së saj, protestuesja akuzoi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke pretenduar se të dy kanë ndjekur të njëjtën rrugë politike.
"Klasën kapitaliste e keni krijuar. E krijoi Sali Berisha kur ti ishe në Francë me thonjtë pa prerë. Erdhe ti dhe vazhdove rrugën e Saliut. Ju jeni një bandë enveriste, këlyshat e Enverit të ndarë në klane. Ta marrë vesh rinia, që akoma ndoshta nuk e di dhe studion ende librat e Enverit në shkollë."
Ajo kërkoi dorëheqjen e të gjithë sistemit politik dhe institucioneve, duke i akuzuar se kanë dëmtuar vendin në fusha të ndryshme.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja iu drejtua sërish kryeministrit dhe ish-kryeministrit me akuza të forta dhe u bëri thirrje protestuesve të vijojnë tubimet.
"Ndaj jep dorëheqjen, jo vetëm ti, por komplet sistemi që keni. Me SPAK-un, me ministritë, me komplet. Se e ke shkatërruar Shqipërinë në qelizat më të vogla. Ke shkatërruar sistemin e arsimit, ku po rriten fëmijët duke u therur me thikë në shkollë. Po rrit një brez që do ta shtypësh edhe më shumë. Po vdesin njerëzit nëpër spitale pa ilaçe, pleqtë mezi jetojnë.
Ju nuk jeni hajdutë, por kriminelë, këlyshat e Enverit të ndarë në banda. Jeni vetëm banda hajdutësh dhe kriminelësh. Jep dorëheqjen dhe kryej punë. Do t'i dalësh për zot Ukrainës, dili për zot vendit tënd. Ta marrin vesh Evropa dhe SHBA-ja kush jeni ju.
Shko në Francë dhe kërko lëmoshë, se atje jeni mbledhur ju, këlyshat e Enverit. Shko, merr Saliun me vete dhe ikni. Bandë kriminelësh, keni krijuar banda këto 36 vite, jeni pasuruar dhe keni shtypur popullin. Një thirrje për ju: qëndroni deri në vdekje, mos e lëshoni, mos u përçani, mos bini pre e këtyre horrave, se këta mundohen t'ju përçajnë. Jo Irani, jo Rusia e Anglia, serbi e greku. Ne kemi punën tonë: të ikë qeveria. Kjo është pika e parë."-shtoi më tej protestuesja.

Me pankarta në duar, protestuesit përcollën mesazhe të forta kundër qeverisë, ku nuk munguan ironitë për "flamingot", kritikat për qeverisjen dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
Protesta e 26-të qytetare u shoqërua me pankarta të shumta, ku qytetarët shprehën përmes ironisë, kritikave dhe thirrjeve të drejtpërdrejta pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Një nga pankartat më të komentuara mbante mbishkrimin: "Na keni thënë: 'S'ka alternativë'. Ne po ju themi: S'ka durim më!", duke iu referuar zhgënjimit të qytetarëve ndaj situatës politike në vend.
Një tjetër pankartë ironizonte ndryshimin e fotografisë së profilit të kryeministrit në rrjetet sociale, ku ai kishte vendosur flamingot, simbol i protestave. Në të shkruhej: "Ne flasim për hallet. Rama poston flamingo. Realiteti nuk fshihet me kartolina".
Mes mesazheve u shfaqën edhe pankarta me kritika për procesin e integrimit europian. Në njërën prej tyre lexohej: "Nuk shkohet në Europë me hajdut!", ndërsa një tjetër shkruante: "O Ramë, në Europë nuk shkohet duke u sjellë si Putin, Xi dhe Erdoğan".
Protestuesit mbajtën gjithashtu pankarta që lidhnin protestën me çështje të debatueshme të muajve të fundit. Në një prej tyre thuhej: "Imazhin e Shqipërisë nuk e prish populli, por lubitë që e zhvasin!", ndërsa një tjetër krahasonte situata të ndryshme përmes fotografive dhe mesazheve kritike ndaj qeverisë.
Në mesin e turmës u panë edhe pankarta të drejtpërdrejta kundër kryeministrit, përfshirë thirrje për dorëheqjen dhe slogane të tjera proteste, të shoqëruara me flamuj kombëtarë.
Pas përfundimit të fjalimeve të qytetarëve para Kryeministrisë dhe leximit të kërkesave të protestës, pjesëmarrësit do të nisin marshimin në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës. Me pankartat dhe flamujt kuqezi në duar, ata do të vijojnë protestën në mënyrë paqësore, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, ndryshim politik dhe plotësimin e kërkesave të paraqitura prej më shumë se tre javësh.











Organizatorët e protestës përsëritën edhe këtë të enjte kërkesat e tyre, duke ritheksuar se ato mbeten të pandryshuara dhe të panegociueshme deri në plotësimin e tyre.
Nga podiumi i protestës u lexua edhe një herë platforma me pesë pika, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i të gjithë kabinetit qeveritar.
"Edhe sot, siç kemi bërë çdo ditë tjetër, përsërisim kërkesat që kanë dalë nga ky shesh prej më shumë se tre javësh. Po dalim para jush me këtë deklaratë politike të një proteste mbarëpopullore dhe paqësore", u tha në fillim të deklaratës.
Sipas protestuesve, largimi i qeverisë duhet të pasohet nga krijimi i një qeverie teknike, tranzitore dhe jopartiake me mandat 12-mujor, e cila do të ketë si detyrë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
"Kërkojmë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë. Kërkojmë krijimin e një qeverie teknike tranzitore jopartiake me mandat 12 muaj, që do të sigurojë zgjedhje të lira dhe të paprekura", u shprehën organizatorët.
Një tjetër pikë e platformës lidhet me ndryshimet kushtetuese. Protestuesit kërkojnë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, ndërsa propozojnë që këto ndryshime të miratohen përmes një referendumi popullor.
Paketa përfshin ndryshimin e Kodit Zgjedhor, rishikimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Në deklaratë u kërkua gjithashtu shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore, anulimi i "Paketës së Maleve", si dhe heqja e kuadrit ligjor për investimet strategjike.
"Kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e hartuar pas konsultimit me intelektualë, ekspertë dhe qytetarë jopartiakë", u theksua gjatë leximit të platformës.
Në përfundim, organizatorët deklaruan se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e plotë të kërkesave.
"Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Kërkojmë një Shqipëri të re!", thanë ata.
"I kemi parë se si janë tmerruar dhe kanë 3 ditë që nuk po gjejnë vend ku të futen. Po shpikin skenarë për t'iu ikur të vërtetës", kështu u shpreh një prej protestuesve gjatë fjalës së mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët u mblodhën në ditën e 26-të të protestës kundër qeverisë.
Protestuesit marshuan në rrugët e kryeqytetit me thirrje si "Shqipëri e Re", "Revolucion" dhe "Edi Rama jep dorëheqjen", ndërsa pas mbërritjes përpara Kryeministrisë vijuan me fjalimet e tyre.
Në fjalën e tij, protestuesi akuzoi qeverinë se fillimisht e kishte injoruar protestën, ndërsa tani, sipas tij, po përpiqet të shmangë vëmendjen nga kërkesat e qytetarëve.
"Ndoshta shumë prej këtyre këtu nuk e kishin menduar se protesta do të mbërrinte në këtë pikë, ndaj në fillim na injoruan. I kemi parë se si janë tmerruar dhe kanë 3 ditë që nuk po gjejnë vend ku të futen. Po shpikin skenare për t’ju ikur të vërtetës. Kërkesat që për 25 ditë me radhë i kemi thërritur bashkë në këtë shesh. Po mundohen të na hedhin trutë e gomarit se po dëmtojnë turizmin. Ne kemi shpikur turizmin e protestave. I treguam botës se jemi edhe mikpritës, të qytetëruar. Një mobilizim i jashtëzakonshëm në mbarë Evropën e në botë këto ditë. Edhe ndërkombëtarisht e kanë marrë vesh se është kryeministër i korruptuar", u shpreh ai.

Mijëra qytetarë kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 26-të të protestës në Tiranë.
Protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 26-të të protestës kundër kastës politike.
Ashtu si çdo pasdite, qytetarët u mblodhën fillimisht në Sheshi Skënderbej, për t'u nisur më pas në marshim drejt godinës qeveritare. Pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë gjithë itinerarit kanë artikuluar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Mes sloganeve të dëgjuara gjatë marshimit ishin: "Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar", si edhe "Ju erdhi fundi, poshtë diktatura", të brohoritura vazhdimisht nga pjesëmarrësit teksa lëviznin drejt Kryeministrisë.
Po ashtu gjatë lëvizjes në rrugët e kryeqytetit, ata kanë brohoritur vazhdimisht thirrjen "Edi Rama, o legen, prite popullin se po vjen".
Po ashtu, protestuesit kanë ironizuar deklaratat e qeverisë për integrimin europian me pankartën: “Nuk shkohet në Europë me hajdutë!”

Një tjetër mesazh i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit Rama: “O Rame, në Europë nuk shkohet duke u sjellë si Putin, Xi dhe Erdogani” dhe “Na keni thënë: ‘S’ka alternativë’. Ne po ju themi: ‘S’ka durim më!’”

Ndërsa një tjetër mesazh ironizonte foton e re të kryeministrit në rrjetet sociale: “Ne flasim për hallet, Rama poston flamingo. Realiteti nuk fshihet me kartolina.”
Protesta po monitorohet nga forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat janë vendosur përgjatë itinerarit për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe për të menaxhuar qarkullimin rrugor.
Kjo është dita e 26-të radhazi e protestës, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e tubimeve deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ata kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke i cilësuar ato si një lëvizje qytetare kundër vendimeve të qeverisë.
Për ditën e shtunë është paralajmëruar një protestë akoma edhe më e madhe. Po ashtu edhe me 4 korrik, ku pritet të vijë diaspora.

Në protestën e 26-të të organizuar për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, një pensionist shprehu pakënaqësinë e tij për situatën ekonomike dhe qeverisjen.
Në një prononcim për "News 24", ai tha se kishte dalë në protestë për shkak të vështirësive me të cilat përballen qytetarët.
"Po protestojmë kundër një anti-shqiptari që vetëm ka vjedhur. Nuk ka lënë fëmijë e të moshuar pa i ofenduar. Te '5 Maji' janë tërhequr plakat zvarrë, në Rrjoll po ashtu. Ky vetëm e ka shkatërruar këtë vend", u shpreh pensionisti.
Qytetari u ndal edhe te niveli i pensioneve, duke thënë se të ardhurat e të moshuarve nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet e përditshme.
"Me një pension qesharak, a mund t'i dalin 100 mijë lekë këtij? Zoti ia shoftë racën", deklaroi ai.
Qytetarët janë mbledhur në sheshin "Skënderbej" dhe kërkojnë prej 26 ditësh dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë. Në tubim u dëgjuan edhe reagime të tjera kritike ndaj situatës ekonomike dhe politike në vend.
Lini një Përgjigje