
Eksperti i IT-së, Genti Progni, mbajti fjalën e tij gjatë protestës së 26-të të opozitës para Kryeministrisë, ku ngriti një sërë pretendimesh lidhur me monitorimin e pjesëmarrësve në tubim.
Sipas Prognit, në zonën e protestës janë vendosur kamera inteligjente, ndërsa një automjet i Policisë Rrugore ka ndjekur marshimin me pajisje monitorimi. Ai pretendoi se qëllimi i këtyre mjeteve është profilizimi i protestuesve dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre.
"Kanë vendosur të gjitha mënyrat si të na profilizojnë dhe të na bëjnë presion. Kamera lart është inteligjente, bashkë me një makinë të Rrugores që bëri dje marshimin për të na profilizuar. Mos hani asnjë presion, nuk kanë çfarë t'ju bëjnë. Nuk kemi frikë", deklaroi Progni.
Ai shtoi gjithashtu se një numër në aplikacionin WhatsApp po u dërgon mesazhe protestuesve duke u kërkuar të mos marrin më pjesë në protestat antiqeveritare. Progni u bëri thirrje qytetarëve ta raportojnë këtë numër.
"Është edhe një numër në WhatsApp që duhet ta bëjmë report. U shkruan qytetarëve duke u kërkuar të largohen sa më shpejt nga protesta antiqeveritare. Mos kini frikë dhe mos u dorëzoni ndaj presionit", u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Progni përmendi edhe çështjen e kompanisë "5D", për të cilën tha se ka shkaktuar dëme në banesat e qytetarëve të Tiranës. Ai falenderoi gjithashtu disa influencues që, sipas tij, i janë bashkuar kauzës së protestës, ndërsa në fund ngriti edhe një denoncim për zonën e Lekbibajt.
"Dua të bëj edhe një denoncim për Lekbibajn. Lumi i fshatit është quajtur përrua, që të mund të ndërtohen diga dhe të prishet ai. Kjo duhet të marrë fund", deklaroi Progni.
Lini një Përgjigje