TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Qershor 2026, 21:18

Arben Malaj sulmon ashpër Ramën: Krushqia me krimin shkatërroi ekonominë dhe politikën

Shkruar nga Pamfleti

Arben Malaj sulmon ashpër Ramën: Krushqia me krimin shkatërroi

Ish-ministri i Financave Arben Malaj, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Ai tha se ky i fundit ka kriminalizuar politikën dhe ekonominë, ndërsa vlerësoi protestat qytetare si një reagim të domosdoshëm ndaj situatës në vend.

Teksa ka komentuar protestat kundër projektit në Zvërnec, Malaj tha se qeveria nuk ka qenë transparente për investimet dhe se reagimi qytetar ka rrëzuar perceptimin se shqiptarët nuk reagojnë përballë pushtetit.

"Janë protestat që ne si shqiptarë duhet t'u jemi mirënjohës. Ishte krijuar ideja se nuk përballemi dot me neodiktaturat dhe se populli shqiptar nuk reagon, nuk proteston, por pranon të jetë i nënshtruar. Gjëja më fisnike e kësaj proteste është se e hodhi poshtë këtë mit që ishte ndërtuar për shqiptarët në raport me të drejtat e tyre," u shpreh Malaj për "Syri Tv".

Ish-ministri u ndal edhe te debati për investimet e huaja, duke theksuar se Shqipëria duhet të garantojë konkurrencë të ndershme dhe siguri juridike për çdo investitor.

"Ne nuk jemi kundër Kushnerit apo Ivankës. Përkundrazi, u themi hajdeni në Shqipëri dhe investoni. Por Shqipëria duhet të ketë siguri juridike, të luftojë korrupsionin dhe kompanitë amerikane duhet të hyjnë përmes një gare. Modeli ekonomik i Ramës, i ndarë me oligarkët që ai vetë ka krijuar, e ka bërë Shqipërinë gjithnjë e më të shtrenjtë dhe shqiptarët gjithnjë e më të varfër," deklaroi ai.

Malaj komentoi edhe polemikat e krijuara pas djegies së një flamuri izraelit gjatë protestës, duke thënë se nuk mund të identifikohet protesta me një incident të izoluar dhe se historia dëshmon marrëdhënien e shqiptarëve me hebrenjtë.

"Nuk mund të thuhet se një incident turpëron shqiptarët. Shqiptarët e kanë treguar që nga viti 1442 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore se kanë qenë strehë e sigurt për hebrenjtë. Tentativat për ta paraqitur protestën si antihebraike janë përpjekje për ta zhvlerësuar atë," tha Malaj.

Ai rezervoi kritikat më të forta për kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për lidhje me botën e krimit dhe për deformimin e sistemit politik.

"Jam plotësisht dakord me të gjitha vërejtjet që i bëhen Ramës. Ai bëri një gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në politikën shqiptare: bëri krushqi me krimin dhe kriminalizoi një pjesë të ekonomisë dhe të politikës. Rrënjët e kësaj që shohim sot janë te modeli që u ndërtua vite më parë dhe që shkatërroi konkurrencën politike," deklaroi ish-ministri socialist.

arben malaj ish-ministri rama zvernec

1 Komente

  1. B
    Bureto

    "Urrejtja është barrë e të zot"-thotë një fjalë e urtë. Ndaj meqë ke premtuar dhe ke vendosur se do të kandidosh për kryetar bashkie në pranverë 2027 si i pavarur në Vlorë, uroj t'ia dalësh. Barra është e rëndë, historia ta ka provuar këtë se kur kandidove për deputet i pavarur po në Vlorë mesa mbaj mend more nja 200-300 vota. Mund ta kem gabim, po pavarësisht shifrave, mësimi që more ishte dështimi. Provoje përsëri, por si politikan dhe pushtetarët i vjetër do kesh mësuar se kandidimi i pavarur nga formacionet politike, por shumë arsye, është një sprovë e dështuar. Në Vlorë do jenëi përballë ti dhe Rama. Do kesh rastin ta mundësh dhe po ia dole, ky do jetë jo vetëm sukses tënd, por do shërbejë si përjashtim nga rregulli, pra do jetë precedent se mund të konkurohet dhe fitohet edhe jashtë radhëve të institucionit politik dhe ideologjik, nga i cili ke dalë apo i përket.

    Lini një Përgjigje