TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES11 Qershor 2026, 20:25

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë kundër fantazmave politike

Shkruar nga Pamfleti
3 ORE ME PARE

“Pacientët i marrin kimiot në karrige”/ Osman Stafa: Ky është ‘Botërori’ i jetës sonë, mos tradhtoni flamurin

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë

Gazetari Osman Stafa, në fjalën e tij para Kryeministrisë ka dhënë një mesazh të fortë dhe iu është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama për dezinformim gjatë protestave.

Stafa deklaroi se gjendja e keqe e shëndetësisë ku kimioterapitë në Onkologjik bëhen në karrige dhe se pacientët detyrohen të shkojnë në spitale private nuk është dezinformim.

Gazetari tha se Rama ka tradhtuar shqiptarët sepse në 4 mandate arsimi dhe shëndetësia janë përkeqësuar.

Në mesazhin e tij Stafa tha se ky është Botërori i jetës dhe se nisja e tij nuk do të ndërpresë protestën.

Ky popull nuk e meriton qeverinë që ka. Del kryeministri dhe thotë se kjo protestsë është ngritur mbi bazën e dezinformimit. A është dezinformim të thuash se shëndetësia nuk funksionon, se pagat janë të ulëta?

Kam 5 vite që jam dyerve të spitaleve sepse kam kuptuar sesi ripen qytetarët në spitalet private. Përgjegjësia bie mbi këta. Një zonjë ka dy vite që pret të dërgohet në Turqi, pajisja nuk vihet në funksion. Të sëmurët e bëjnë kimioterapinë në karrige, një fondacion privat çoi poltronë, që kushtuan vetëm 70 mijë euro. Nuk i ka shteti 70 mijë euro?

4 mandate ka kjo qeveri në pushtet, me keq janë bërë arsimi dhe shëndetësia.

Ky është Botërori jonë, i jetës dhe të ardhmes sonë, që të mos ikim nga Shqipëria.

Ata që janë në diasporë, një muaj të mos iu sjellin të ardhura prindërve në Shqipëri ata do të ishin në shesh.

Edi Rama është tradhtar, sespe na ka tradhtuar me shëndetësinë, me pensionet, arsimin.

Mos u dekurajoni, jepni besën para flamurit se ky shesh nuk do të zbrazet. Mos e tradhtoni atë flamur, ndryshe do të na bëjnë me turp fëmijët tanë.

Duhet ta valëvisim lart atë flamur, besa jonë është për atë flamur për Shqipërinë”, deklaroi Stafa.

 

4 ORE ME PARE

“Emigracioni ma mori familjen, po më merr edhe nipërit”, rrëfimet që prekën protestën para Kryeministrisë

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
Protesta qytetare

Mes thirrjeve kundër qeverisë dhe establishmentit politik, protesta e ditës së 12-të solli histori të dhimbshme emigracioni, varfërie dhe sakrificash. Qytetarët folën për familje të ndara, nëna që presin fëmijët nga emigracioni dhe një shtet që, sipas tyre, i ka lënë vetëm.

Mes mijëra protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, nuk ishin vetëm pankartat kundër qeverisë ato që tërhoqën vëmendjen. Disa nga momentet më prekëse të protestës erdhën nga rrëfimet personale të qytetarëve, të cilët treguan plagët që emigracioni, varfëria dhe mungesa e shpresës kanë lënë në familjet shqiptare.

Një nga pankartat që u komentua më shumë gjatë tubimit mbahej nga një grua e moshuar. Mesazhi i saj ishte i shkurtër, por i dhimbshëm.

Emigracioni ma mori familjen, po më merr edhe nipërit. Kthehuni, nëna ju pret”, shkruhej në pankartë.

Mesazhi u përmend edhe nga folësit në protestë, si simbol i dramës që prej vitesh po përjetojnë mijëra familje shqiptare, ku fëmijët dhe nipërit largohen drejt vendeve të huaja, ndërsa prindërit dhe gjyshërit mbeten pas duke pritur.

Një tjetër moment i fortë erdhi nga një vajzë e re, e cila rrëfeu historinë e saj personale dhe të familjes, duke e lidhur atë me realitetin që sipas saj po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi.

Jam rritur jetime, pa babain. Më rriti nëna. Politikanët nuk e dinë çfarë do të thotë të flesh me barkun bosh. Na keni vjedhur ëndrrat, jetën, prindërit. Ky popull meriton të jetojë me dinjitet në tokën e vet. Meriton të përfaqësohet nga burra dhe gra të ndershëm”, tha ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.

Më pas, ajo iu drejtua drejtpërdrejt klasës politike, duke akuzuar drejtuesit e vendit se kanë detyruar breza të tërë të largohen.

Ne jemi këtu për çdo nënë që vdiq me sytë nga dera. Betohem para Zotit që nuk ka më heshtje dhe gjunjëzim. Shqipëria dhe e ardhmja është e jona. Ne u ngopëm me varfëri, ju do ngopeni me drejtësi”, deklaroi protestuesja.

Por një nga dëshmitë më tronditëse erdhi nga një grua tjetër, e cila tregoi kalvarin e familjes së saj në përpjekje për të shpëtuar jetën e të atit.

Ajo rrëfeu se prej 17 vitesh të ardhurat e saj dhe të vëllait janë shpenzuar pothuajse të gjitha për trajtime mjekësore, ndërsa babai i saj ka kaluar dhjetëra operacione dhe ka humbur të dyja këmbët.

Unë kam 17 vite që punoj dhe të gjitha shpenzimet tona, të miat dhe vëllait tim, kanë shkuar për fatura spitalesh. Babai im është operuar mbi 26 herë. Në momentin që flasim ai ka humbur të dyja këmbët. Shteti vetëm një operacion të tij ka pranuar dhe për të gjitha të tjerat thonë që nuk mund t’i bëjmë, nuk kemi mjetet”, tha ajo.

Sipas protestueses, familja u detyrua ta dërgonte të atin për kurim në Turqi, por ndërhyrja përfundoi me komplikacione të rënda.

I fundit ishte që ne na u desh të shkonim në Turqi. Ata bënë një gabim dhe ai pësoi trombozë në avion. Pasi u kthyem këtu, as drejtësia jonë nuk lejonte që unë të bëja denoncim për spitalin në Turqi, sepse spitali në Turqi qenka i lidhur me Erdoganin”, deklaroi ajo.

Në fund të fjalës së saj, protestuesja bëri thirrje që qytetarët të mos qëndrojnë indiferentë.

Doja të flisja për këtë histori, për të thënë që ne duhet të çohemi, pavarësisht se jemi një brez që sot s’kemi asgjë në vijë”, u shpreh ajo.

Në një protestë që prej 12 ditësh po sfidon jo vetëm qeverinë, por gjithë klasën politike shqiptare, historitë personale të qytetarëve po kthehen gjithnjë e më shumë në simbolin e një pakënaqësie të akumuluar prej vitesh. Përtej pankartave dhe sloganeve politike, në shesh po dëgjohen rrëfime për familje të ndara nga emigracioni, për sëmundje që kanë shkatërruar jetët e njerëzve dhe për një brez që thotë se nuk ka më asgjë për të humbur.

4 ORE ME PARE

Mehdi Malkaj nga protesta: I përdhunuari më i madh në këtë vend është himni kombëtar

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
Mehdi Malkaj

Aktori i njohur iu bashkua sërish protestës para Kryeministrisë dhe bëri thirrje për më shumë atdhedashuri, duke kërkuar që qytetarët të këndojnë së bashku himnin kombëtar.

Aktori i njohur Mehdi Malkaj i është bashkuar edhe këtë të diel protestës qytetare para Kryeministrisë, duke përcjellë një mesazh të fortë për identitetin kombëtar dhe mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar vlerat patriotike ndër vite.

Mes duartrokitjeve të protestuesve, Malkaj tha se një nga gjërat më të neglizhuara në Shqipëri është vetë himni kombëtar, ndërsa kritikoi faktin që brezat e rinj nuk edukohen mjaftueshëm me ndjenjën e atdhedashurisë.

Tungjatjeta të gjithëve. Nuk vdes njeriu kur thotë ndonjë fjalë të mirë, si fjala ‘ju kam xhan të gjithëve’. Unë tani kam një dëshirë, që dua që kush e ka në dorë të ma plotësojë”, tha Malkaj në fillim të fjalës së tij.

Më pas, aktori u ndal te ajo që e konsideroi një nga plagët e shoqërisë shqiptare.

Miq të dashur, ai që është përdhunuar më shumë në këtë mes, është himni kombëtar. Fëmijët venë në shkollë dhe nuk u thonë mësuesit çfarë është ky”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, Malkaj u bëri thirrje qytetarëve të pranishëm të bashkoheshin në këndimin e himnit kombëtar.

Ta këndojmë këtu himnin kombëtar të gjithë sa jemi”, tha aktori.

Thirrja e tij u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, në ditën e 12-të të protestës qytetare, e cila ka mbledhur mijëra njerëz dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër establishmentit politik në vend.

4 ORE ME PARE

“S’do lejojmë të bëhet një tjetër ‘97-të”, ish-efektivi emigrant mesazh protestuesve: Do nisemi në këmbë nga Vlora në Tiranë!

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
foto nga protesta

Në protestën e 12-të para Kryeministrisë, mes folësve ishte edhe një emigrant shqiptar nga Vlora, ish-efektiv policie. Ai dha një mesazh të fortë duke deklaruar se jo vetëm do sakrifikojnë, por edhe do shtohen më shumë.

Qytetari pasi rrëfeu historinë personale të vuajtjeve, tha se protestuesit do të nisen në këmbë nga Vlora drejt Tiranës dhe se nuk dorëzohen deri në rrëzimin e qeverisë edhe nëse do të duhej të japë jetën.

Ish-efektivi shtoi se viti 1997 nuk duhet të përsëritet edhe një herë dhe nuk duhet të hiqet dorë nga protesta. Ai hodhi akuza të rënda drejt kreut të PD, Sali Berisha dhe deklaroi se në para 29 vitesh e kërcënuan për organizimin e protestave, duke i plagosur prindërit akt që e detyroi të emigronte.

“Para 31 vitesh kam kryesuar Komitetin e Protestës në Vlorë, u dhunuam nga berishistët. Më pas nisën dëbimet, persekutimet, më plagosën prindërit me granata dhe tritol. U nisëm me djalin e vogël drejt Adriatikut, na dëbuan edhe pse isha punonjës policie. Pasi i rritëm fëmijët andej, me dashurinë për gjuhën shqipe, pas 29 vitesh jemi në të njëjtën situatë, ku ka protestë në të gjithë vendin. Nuk duhet të përsëritet ’97, të mos e lëmë protestën, nëse i duam fëmijët tanë. Le të jem unë heroi i parë, le të më vrasin”, tha ai mes të tjerash.

Më tej vijoi të tregonte edhe për organizimet në qytetin bregdetar për t’iu bashkuar kësaj proteste. Ish-efektivi apeloi që të mos dorëzoheshin dhe të mos i nënshtroheshin politikanëve kriminelë, as Ramës dhe as Berishës.

“Kemi nisur bisedimet me shokët që lumi të vërshojë nga Vlora në Tiranë, do të vijmë nga në këmbë, ose arrijmë qëllimin ose do të shtrihemi të vdekur. Ai nuk është burrë, s’ka fe, është frikacak, ata që janë mbrapa tij të mos bëhen tradhtarë, mos u vini përballë shqiptarëve, mos u bëni kundërshtarët tanë sepse do të gjeni belanë. Patronazhistët, policët të bashkohen me ne, të hedhin kapelën në shesh si unë në ’97”, deklaroi ish-efektivi.

4 ORE ME PARE

Diaspora i bashkohet simbolikisht protestës, mesazhi me karrige bosh për të rinjtë e larguar nga vendi

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
Mesazhi simbolik në protestë

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë në Tiranë vijoi edhe sot, ndërsa kësaj radhe në shesh u shfaq një mesazh simbolik në emër të diasporës shqiptare dhe të rinjve që janë larguar nga vendi.

Në mes të protestës u vendosën karrige bosh, mbi të cilat ishin afishuar postera me mbishkrimet “Ikur në Angli”, “Ikur në Belgjikë”, “Ikur në Austri” dhe “Ikur në Gjermani”. Simbolika synonte të përfaqësonte të rinjtë shqiptarë që kanë emigruar në vitet e fundit dhe që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht në protestë për të shprehur qëndrimet e tyre.

Sipas protestuesve, karriget bosh përfaqësojnë mungesën e një brezi të tërë që ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale, duke kërkuar njëkohësisht më shumë vëmendje ndaj fenomenit të emigracionit.

Protesta, e cila nisi pas incidenteve të ndodhura gjatë një aksioni kundër resortit të familjes Kushner në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje qytetare që vijon prej 12 ditësh. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët kanë ngritur shqetësime që lidhen me situatën ekonomike, kushtet sociale dhe qeverisjen e vendit.

Pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi edhe ndaj klasës politike në tërësi, ndërsa kanë kërkuar ndryshime dhe më shumë përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore.

4 ORE ME PARE

“S’mund të ngelemi gjithmonë bankomat i prindërve”, emigranti thirrje nga protesta: Ta rrëzojmë qeverinë e korruptuar

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
Një protestues mban fjalën gjatë tubimit para Kryeministrisë

Qytetarë të shumtë u mblodhën sërish këtë të enjte në Tiranë në kuadër të ditës së 12-të të protestës kundër qeverisë Rama. Protestuesit vijuan thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa në podium u mbajtën një sërë fjalimesh nga qytetarë, emigrantë dhe studentë.

Një emigrant që iu drejtua turmës bëri apel për pjesëmarrjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke i ftuar ata t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për datën 13.

“Zemra mal, 12 ditë nuk keni reshtur. Përcjell mesazh për të gjithë emigrantët, ashtu siç unë jam i ikur prej kësaj politike. Kam prerë një biletë vetëm ardhje. Të gjithë bashkë-atdhetarët e mi, ejani këtu. Ejani na jepni një dorë ta hedhim këtë sistem, këtë qeveri të korruptuar, këtë kryeministër. Ejani emigrantë, nuk mund të rrimë larg vendit tonë. Nuk mund të ngelemi gjithmonë bankomat i prindërve tanë. Në datën 13 kemi thënë që është protesta e emigrantëve, ejani ju lutem, nuk ka më kohë”, tha një emigrant.

Gjatë protestës, një tjetër pjesëmarrës u shpreh se lëvizja qytetare ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe e cilësoi atë si një shfaqje të vlerave qytetare.

Kjo protestë ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave botërore. Kjo protestë dëshmoi qytetari e vlera. Kemi në shesh fëmijë, gjyshër, nëna, vajza, të gjithë shqiptarët. Vetëm kjo frymë e rrëzon qeverinë, Ramën dhe shokun e tij Berishën”, tha një tjetër protestues.

Në protestë morën pjesë edhe studentë, të cilët kërkuan që çështjet e ngritura prej tyre ndër vite të mos harrohen.

“Ata janë shumë, por ne të gjithë bashkë jemi edhe më shumë. Ata nuk i kanë larë ende hesapet me studentët, por ne nuk harrojmë”, tha një student.

 

4 ORE ME PARE

Protestuesit thirrje SPAK-ut: Arresto Edi Ramën!

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë

Protestuesit i drejtuan edhe një mesazh të qartë Prokurorisë së Posaçme, SPAK, duke kërkuar hetimin dhe arrestimin e kryeministrit Rama...

Mijëra qytetarë u mblodhën sërish përballë godinës së Kryeministrisë, në ditën e 12-të të protestës, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Këtë herë, protestuesit i drejtuan edhe një mesazh të qartë Prokurorisë së Posaçme, SPAK, duke kërkuar hetimin dhe arrestimin e kryeministrit Rama për korrupsionin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së saj në podium, aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se është pjesë e protestës për një Shqipëri me drejtësi të re dhe institucione më të përgjegjshme.

Ajo akuzoi gjithashtu qeverinë për situatën sociale në vend, duke përmendur largimin masiv të të rinjve dhe rritjen e kriminalitetit mes tyre si pasoja të keqqeverisjes. Protestuesit vijuan thirrjet për dorëheqje dhe drejtësi, ndërsa kërkuan që institucionet ligjzbatuese të veprojnë pa ndikim politik.

“Është shumë bukur të vish në protestë, në solidaritet dhe të thuash të vërteten tënde. Ju kërkoj të mos bini pre e provokimeve,  çlirohuni nga një regjim që na kërcënon me bukën e gojës.

Janë thënë shumë mesazhe, por sot jam këtu për tim vëlla që nga një student ekselent punon si punëtor në New York, jam për shokët e mi që i kriminalizuat, për ata që duhet të bëhen idiotë funksionalë e të mbledhin vota për një punë në shtet, jam këtu që në maternitete të mos vdesin gratë shtatzëna, që mos na vdesin më punëtorë dhe të mos marrin as shpërblimin.

Drejtësia të marrë nën hetim Edi Ramën për korrupsionin e Belinda Ballukut, Erion Veliajt dhe Arben Ahmetajt. Ata s’kanë zgjedhur vetëm. Hetim, hetim, hetim. Për qytetet, malet, plazhet nuk vendosin 5 oligarkë, por të gjithë ne”, deklaroi ajo.

 

5 ORE ME PARE

Dita e 12-të e protestë, influencerja me jastëk me vete në protestë: Po të jetë e nevojshme do të flemë para Kryeministrisë!

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë

Ditën e sotme po mbahet protesta e 12 në kryeqytet, ku qytetarët kërkojnë revolucion, largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij dhe duke u barazlarguar nga të gjithë kahet politike.

Mesazhet nuk kanë munguar gjatë këtyre 12 ditëve. Influencerja Griselda Katirai është paraqitur në protestë me jastëk me vete, ku tha se po proteston pasi kupa u mbush dhe nëse është e nevojshme protestuesit do ta gdhijnë poshtë dritares së Ramës.

“Nëse është e nevojshme do të flemë para Kryeministrisë. Mos të na ironizojë Rama ne influencerave. Tepsia kërkon kurban, Ramën dhe Berishën. Unë protestoj sepse kupa është mbushur. Nuk duam investime lukse por spitale. Një e i sëmurë shkon të bëjë serumin e të marrë veten, jo të shkojë të blejë serumin sepse nuk ka spitali. Shqiptarët të mblidhen të gjithë dhe ta gdhijmë para Kryeministrisë nëse është e nevojshme”, tha ajo.

5 ORE ME PARE

12 ditët që tronditën kastën politike

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
Foto nga protesta

Mijëra qytetarë sërish para Kryeministrisë me thirrjet “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Dorëheqje”. Lëvizja që nisi për Zvernecin është kthyer në revoltën më të madhe qytetare të 35 viteve të fundit kundër gjithë establishmentit politik.

Për të 12-ën ditë me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë, duke konfirmuar se ajo që nisi si një protestë kundër projekteve në Zvernec është shndërruar në një lëvizje të paprecedentë kundër gjithë klasës politike shqiptare.

Me thirrjet “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëria nuk është pronë e juaja”, protestuesit kanë marshuar sërish drejt qendrës së vendimmarrjes politike, duke përcjellë një mesazh që prej ditësh po bëhet gjithnjë e më i qartë: zemërimi nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë modelit politik që ka dominuar Shqipërinë në tre dekadat e fundit.

Në historinë e pluralizmit shqiptar janë parë protesta të organizuara nga partitë, tubime elektorale, protesta opozitare dhe përplasje të forta politike. Por rrallëherë, për të mos thënë kurrë, është parë një mobilizim i tillë qytetar që nuk drejtohet nga partitë politike, nuk kontrollohet nga strukturat tradicionale dhe nuk ka në krye emrat e zakonshëm të politikës.

Pikërisht ky është elementi që e ka bërë protestën e ditëve të fundit të ndryshme nga gjithçka që Shqipëria ka parë në 35 vitet e fundit.

Në shesh nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër Edi Ramës. Po aq të forta janë edhe thirrjet kundër Sali Berishës, Partisë Demokratike dhe opozitës tradicionale. Për shumë prej protestuesve, problemi nuk lidhet vetëm me një qeveri apo me një mandat të caktuar, por me një klasë politike që sipas tyre ka konsumuar besimin e qytetarëve.

Në këtë kuptim, protesta është shndërruar në një shuplakë të dyfishtë për politikën shqiptare.

Nga njëra anë, ajo po vë në vështirësi kryeministrin Edi Rama, i cili prej ditësh është përpjekur ta trajtojë lëvizjen me ironi, duke minimizuar përmasat dhe ndikimin e saj. Megjithatë, fakti që protesta vazhdon të mbledhë qytetarë për ditë me radhë dhe po tërheq vëmendje edhe jashtë Shqipërisë, tregon se qeveria po përballet me një situatë të pazakontë.

Për herë të parë në karrierën e tij politike si kryeministër, Rama po përballet me një lëvizje që nuk vjen nga kundërshtari tradicional politik dhe që nuk mund të etiketohet lehtësisht si protestë e opozitës.

Nga ana tjetër, zhvillimet e ditëve të fundit përbëjnë një goditje edhe për opozitën. Për vite me radhë Partia Demokratike ka organizuar protesta, mitingje dhe tubime kundër qeverisë, por rrallëherë ka arritur të prodhojë një mobilizim të ngjashëm me atë që po shfaqet sot në rrugët e Tiranës.

Ky është paradoksi i momentit politik shqiptar: ndërsa qytetarët po mbushin sheshet kundër qeverisë, ata refuzojnë njëkohësisht t'i japin meritë apo përfaqësim opozitës tradicionale.

Shumë prej pjesëmarrësve e kanë thënë hapur se nuk protestojnë për t’i dhënë pushtetin një partie tjetër, por për të sfiduar të gjithë establishmentin politik të krijuar pas viteve ’90.

Prandaj, pas 12 ditësh protestash, duket se lëvizja ka hyrë në një fazë tjetër. Ajo nuk është më vetëm një reagim ndaj një projekti në Zvernec apo ndaj një vendimi të qeverisë. Është shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë së akumuluar prej vitesh ndaj një sistemi politik që shumë qytetarë e konsiderojnë të konsumuar.

Dhe pikërisht ky është elementi që po e bën protestën të veçantë: për herë të parë pas shumë vitesh, në shesh nuk po kërkohet rotacion politik. Po kërkohet ndryshim i vetë mënyrës se si është ndërtuar politika shqiptare. /Pamfleti

5 ORE ME PARE

“Rama jepe dorëheqjen”/ 12 ditë protestë, mijëra qytetarë sërish në shesh kundër qeverisë

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë

Dita e dymbëdhjetë vjen pas një marshimi maratonë një natë më parë...

“Revolucioni i Flamingove” është futur në ditën e 12-të të saj dhe mijëra qytetarët janë mbledhur në Sheshin Skënderbej, nga ku kanë nisur më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

Ashtu si në protestat e mëparshme, në shesh kanë nisur të dëgjohen sloganet që tashmë janë kthyer në simbol të protestës, ndërsa flamujt kuqezi dominojnë mes turmës.

Thirrje si; “Rama ik”, “Duam drejtësi”, “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re”, “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama ka mbaru”, dëgjohen në kor gjatë gjithë marshimit.

Nuk mungon as ‘esenca’ e kësaj proteste, pankartat me mesazhe dhe ‘meme’ që shpalosin kreativitetin e të rinjve në këtë tubim.

Dita e dymbëdhjetë vjen pas një marshimi maratonë një natë më parë, ku mijëra qytetarë qëndruan për orë të tëra në rrugët e Tiranës, duke kaluar nga bulevardi drejt zonës së Korpusit Universitar dhe më pas duke u rikthyer sërish në qendër të qytetit.

Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është fakti se protesta ka tejkaluar prej kohësh kauzën që e ndezi fillimisht.

Në rrugët e Tiranës nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike në tërësi, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë që shkon përtej një çështjeje të vetme.

 

5 ORE ME PARE

Sot dita e 12-të e protestës, qytetarët: Rama-Berisha kanë marrë peng vendin

Minutë pas minute/ Qytetarët 12 ditë në këmbë
Nis grumbullimi i protestuesve

Lëvizja që nisi për Zvernecin është shndërruar në një revoltë të gjerë kundër establishmentit politik. Protestuesit flasin për një Shqipëri të marrë peng nga politika e 35 viteve të fundit dhe kërkojnë ndryshim të plotë të klasës drejtuese.

Protesta që nisi 12 ditë më parë për projektet në Zvernec dhe zonat e mbrojtura të jugut është shndërruar tashmë në një lëvizje shumë më të gjerë kundër klasës politike shqiptare. Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të diel në Sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, në atë që organizatorët e konsiderojnë si një revoltë qytetare kundër gjithë establishmentit politik.

Ndryshe nga protestat tradicionale të viteve të fundit, në tubimin e sotëm nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë së Edi Ramës. Një pjesë e madhe e protestuesve shprehen hapur se kundërshtojnë edhe opozitën dhe figurat politike që kanë dominuar jetën publike shqiptare gjatë tre dekadave të fundit.

Mes qytetarëve të mbledhur në shesh ishte edhe një pensionist, i cili tha se protesta duhet të vazhdojë deri në fund dhe se shpresa e vetme për ndryshim mbetet rinia.

Jam në protestë dhe do vazhdoj. Kam dalë që të largohet kjo qeveri, u bënë mbretër. Në vend që të jetë shërbëtor i popullit, ai tallet me popullin. Unë jam i majtë por ai tallet me popullin. Po nuk pati kjo protestë një produkt, Shqipëria është në skëterrë. Dhe këtë do ta bëjë rinia dhe vetëm rinia. Siç e ka nisur dhe të mos e lërë deri në fund”, tha ai.

Pikërisht roli i të rinjve dhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora po konsiderohen si një nga elementët më të veçantë të kësaj lëvizjeje, e cila prej 12 ditësh ka arritur të mbajë të njëjtin ritëm protestash pa incidente.

Një nga protestuesit më aktivë, Arben Kola, tha se lëvizja tashmë ka tejkaluar çështjen e Zvernecit dhe është kthyer në një revoltë kundër sistemit politik të ngritur pas viteve ’90.

Që nga dita e parë që ka nisur kjo protestë dhe i kam prijë, dua të them që problemet e 35 viteve nuk zgjidhen për 10 ditë. Jemi kundër dyshes që kanë marrë peng vendin, jemi kundër dyshes, Rama-Berisha”, tha ai.

Sipas Kolës, përmasat që ka marrë protesta brenda dhe jashtë Shqipërisë tregojnë se kemi të bëjmë me një lëvizje që nuk kontrollohet nga partitë politike.

A keni parë ndonjëherë tubime kaq të sinkronizuara, në të gjithë botën ku ka shqiptarë? Po të dihej se kush është, këta do e kishin kapur. Por duke qenë se është vullnet popullor nuk kanë çfarë të bëjnë. Shantazhet dhe kërcënimet më të mëdha vijnë nga njerëzit pranë opozitës”, tha ai.

Kola pretendon se protesta nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë aktuale, por kundër gjithë klasës politike që ka drejtuar vendin në 35 vitet e fundit.

Ramaviç dhe Sali Berishoviç kanë marrë peng Shqipërinë. Do të rrëzohen sepse kanë dalë 6 milionë shqiptarë. Këtu nuk jemi vetëm kundër Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, por kundër politikës së 35 viteve”, u shpreh protestuesi.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga jashtë vendit. Një i ri i ardhur nga Gjermania tha se do të vazhdojë t’i bashkohet tubimeve derisa, sipas tij, të largohet e gjithë klasa politike e vjetër.

Protestojmë kundër të gjithë establishmentit të vjetër. Gjithë mllefi i akumuluar me dekada të tëra nisi të zbrazet në shesh. Unë kam ardhur nga Gjermania për protestën dhe do vij sërish deri sa Rama dhe kjo klasë politike të largohet. Ka pafundësisht shumë të rinj që kanë ardhur nga diaspora”, tha ai.

Ndërsa turma marshon drejt Kryeministrisë, protesta e ditës së 12-të po konfirmon gjithnjë e më shumë transformimin e një kauze lokale për mbrojtjen e Zvernecit në një lëvizje të gjerë qytetare, e cila synon të sfidojë jo vetëm qeverinë, por të gjithë modelin politik që ka dominuar Shqipërinë në tre dekadat e fundit.

protesta dorëheqje

Lini një Përgjigje