Protesta qytetare që ka hyrë në ditën e saj të 12-të nuk është mbyllur me tubimin para Kryeministrisë. Mijëra qytetarë kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke e shtrirë revoltën përtej bulevardit kryesor të kryeqytetit.
Pas fjalimeve dhe thirrjeve para selisë së qeverisë, protestuesit janë nisur drejt Zogut të Zi, duke krijuar kolona të gjata njerëzish që kanë bllokuar për disa momente lëvizjen në një nga nyjet më të rëndësishme të Tiranës.
Nga aty marshimi ka vijuar drejt zonës së ish-Doganës dhe më pas në Astir, ku protestuesit janë pritur me duartrokitje dhe brohoritje nga banorët e zonës. Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër qeverisë, qytetarët kanë përsëritur vazhdimisht thirrjet që tashmë janë bërë simbol i kësaj lëvizjeje.
“Rama në burg!”, “Berisha në burg!”, “Ju erdhi fundi!” dhe “Shqipëri e Re!”, kanë qenë sloganet që kanë shoqëruar marshimin përgjatë gjithë itinerarit.
Ndryshe nga protestat tradicionale politike, pjesëmarrësit kanë theksuar se kjo lëvizje nuk po drejtohet vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike që sipas tyre ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Pas kalimit në Astir, protesta është rikthyer sërish drejt qendrës së Tiranës dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbyllur një tjetër ditë mobilizimi masiv që organizatorët e cilësojnë si historik.
Por vëmendja tashmë është përqendruar te protesta e nesërme.
Në përfundim të marshimit, organizatorët dhe aktivistët kanë shpërndarë një thirrje të fortë për pjesëmarrje sa më të madhe, pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e një tubimi në Sheshin “Italia” në të njëjtën orë me protestën qytetare.
Sipas tyre, qytetarët duhet t’i përgjigjen me një pjesëmarrje edhe më të madhe asaj që e konsiderojnë një përpjekje të qeverisë për të zbehur revoltën popullore.
“Nesër të jemi sa më shumë kundër antimitingut të Ramës me administratën e tij!”, ishte mesazhi që u përcoll vazhdimisht në fund të protestës.
Një pjesë e madhe e thirrjeve iu drejtuan edhe punonjësve të administratës publike. Protestuesit kërkuan që ata të mos përdoren si mburojë politike e qeverisë, por të bashkohen me qytetarët që kërkojnë ndryshim.
Sipas tyre, pjesëmarrja masive e ditëve të fundit ka treguar se revolta po zgjerohet përtej kufijve të zakonshëm politikë dhe se për herë të parë pas shumë vitesh qytetarët po organizohen pa partitë tradicionale.
Ndërsa protesta hyn në ditën e 13-të, organizatorët presin që përballja e nesërme mes tubimit qytetar dhe antimitingut të paralajmëruar nga kryeministri të shënojë një tjetër moment të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje që prej gati dy javësh po mban në këmbë Tiranën.
Lini një Përgjigje