E ardhmja e Fisnik Asllanit mbetet ende e paqartë. Sulmuesi i Hofenheimit nuk është prezantuar zyrtarisht nga Borusia e Dortmundit, çka ka shtuar dyshimet se transferimi i shumëpritur mund të mos përfundojë.
Megjithëse u raportua se klubi gjerman ishte gati të aktivizonte klauzolën e lirimit prej 30 milionë eurosh, emri i Asllanit vazhdon të jetë në qendër të merkatos verore.
Sipas medias spanjoll "Sport.es", 22-vjeçari është shfaqur si një alternativë për repartin ofensiv të Barcelonës. Raporti thekson se vetë Asllani ka ngadalësuar bisedimet me Borusian e Dortmundit, pasi dëshira e tij është të presë një lëvizje nga klubi katalanas.
Barcelona ka zhvilluar kontakte si me lojtarin, ashtu edhe me përfaqësuesit e tij. Sulmuesi e sheh me interes një kalim në "Camp Nou", por vendimi përfundimtar do t'i takojë trajnerit Hansi Flik, i cili do të vlerësojë nëse Asllani përputhet me planet e skuadrës.
Interesimi i Barcelonës lidhet edhe me situatën e Ferran Torres, i cili është pranë një transferimi te PSG-ja. Në rast largimi të spanjollit, katalanasit do të kenë nevojë për një sulmues të ri dhe Fisnik Asllani mbetet një nga emrat që po monitorohen nga katalanasit.
Lini një Përgjigje