Debati për statusin “non grata” të Sali Berishës është zhvendosur edhe në sallën e Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ironizoi reagimet e deputetëve demokratë pas njoftimit të bërë nga PD.
Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh skeptik ndaj pretendimeve se Berishës i është hequr statusi “non grata”, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të konfirmohet zyrtarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit ose Ambasada e SHBA-së.
Ai ironizoi gjithashtu përpjekjet e opozitës për ta lidhur këtë zhvillim me protestën e qytetarëve, duke sugjeruar se po tentohet të paraqitet si një fitore politike e protestuesve.
“Po na thuhet sot këtu që protesta ka arritur suksesin e parë dhe është hequr ‘non grata’? Madje keni ndryshuar edhe sloganin. Tani nuk do të thërrasin më ‘Berisha në burg’, por ‘Berisha në Uashington’”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit socialist kujtoi se statusi “non grata” është vendosur mbi bazën e seksionit 7031(c) të ligjit amerikan dhe se nuk është një proces që hiqet lehtësisht.
Ai theksoi se nuk komenton informacione të bazuara në biseda telefonike, duke kërkuar që çdo zhvillim të trajtohet mbi baza institucionale dhe zyrtare.
Balla akuzoi gjithashtu demokratët se po përpiqen të përvetësojnë protestën qytetare për qëllime politike, duke theksuar se ajo nuk i përket asnjë force politike.
“Statusi non grata është vendosur mbi bazën e seksionit 7031(c). Në vlerësimin tim është pak vështirë të hiqet. Unë do ta komentoj vetëm kur të ketë një njoftim zyrtar nga DASH ose nga ambasada amerikane. Nuk komentoj biseda telefonike, sepse nuk është korrekte dhe nuk është institucionale. Kot lodheni ta vidhni protestën. Jo Sali Lushën të çoni atje, jo të gjithë ju të shkoni në protestë, ajo nuk bëhet pronë e juaja”, tha Balla ndër të tjera.
Lini një Përgjigje