Albion Nikolli, një nga protestuesit e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar më 2 korrik para Kuvendit, është liruar këtë të shtunë pas katër ditësh qëndrimi në komisariat.
Pas lirimit, ai mori pjesë në protestën e zhvilluar në mbrëmje para Kryeministrisë, ku falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë ditëve që ai dhe protestues të tjerë ndodheshin në paraburgim. Në fjalën e tij, Nikolli u shpreh se protestuesit nuk janë kundër rendit kushtetues, por kërkojnë, sipas tij, rikthimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
"Dua të them se protestuesit, ata djem, nuk janë huliganë. Nuk janë kundër ligjit e rendit kushtetues; janë kundër autokracisë. Janë për demokracinë, për shtetin ligjor, për ta kthyer Shqipërinë në shinat demokratike.
Ata duan që Shqipëria të mos jetë e kapur nga mafia, të mos u shitet oligarkëve vendas. Nuk janë heronj. Ju jeni heronj që keni ardhur çdo ditë në protestë. Faleminderit që erdhët të na mbështesni. Na keni dhënë një energji të jashtëzakonshme. Heronj janë ata që protestojnë, ata që qëndrojnë për të drejtat në përditshmëri.", deklaroi Nikolli.
Më pas, ai bëri edhe një pretendim lidhur me sjelljen e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë kohës që ndodhej në komisariat, duke thënë se disa prej tyre i kishin shprehur mbështetje protestuesve.
"Policët na e kanë thënë gjithë kohës, edhe kur na arrestuan edhe në komisariat, që janë me ne. Edhe ata janë të shtypur nga sistemi. Nuk u paguhen orët shtesë dhe u vidhen tenderat e uniformave.", u shpreh ai.
Pretendimet e Albion Nikollit për deklaratat e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Lini një Përgjigje