TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Korrik 2026, 18:56

Koçeku i përgjigjet Ramës: Besa nuk blihet me resorte e kulla

Shkruar nga Pamfleti

Koçeku i përgjigjet Ramës: Besa nuk blihet me resorte e kulla

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste prezantoi dokumentin politik "Besa" dhe u bëri thirrje shqiptarëve t'i japin "besën".

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Koçeku shprehet se besa është një koncept i shenjtë, i trashëguar nga tradita shqiptare dhe nuk mund të përdoret si slogan politik.

"Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa. Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrueme, ajo asht kontratë thellësisht natyrore. T'parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besë tjetrit, tue ia pre besën vendit ku jeton", shkruan Koçeku.

Deputetja vijon më tej duke kritikuar ata që, sipas saj, e shohin tokën vetëm si një mundësi për ndërtime dhe investime, duke theksuar se një qasje e tillë nuk mund ta kuptojë kuptimin e vërtetë të besës.

"Ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën. Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze e resorte, por nuk asht ma besë. Se këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat me mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet sesi përfundojnë", shprehet ajo.

Në fund të reagimit, Koçeku sjell në vëmendje traditën e Malësisë, duke thënë se edhe njerëzit që kanë humbur lidhjen me vendin e tyre rikthehen te kulla e të parëve për të kërkuar besën.

"Unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit. Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe njiherë njerëz. Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t'u zihet besë!", përfundon deputetja.

koceku rama

1 Komente

  1. b
    bespreri

    Kush i jep nje njeriu si Rama, besen ta dije se ka humbur e vrare shpresen.!!!! Po kush te doje le tia japi, e me pas te mbylli gojen ose te marri arratine.

    Lini një Përgjigje