Deputetja e larguar nga grupi parlamentar i PS-së kërkon verifikim të mbështetjes politike përmes zgjedhjeve të reja
Pas vendimit për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar sërish publikisht përmes rrjeteve sociale. Në mesazhin e saj, ajo i është drejtuar mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, duke vënë në diskutim pretendimin se Partia Socialiste gëzon një shumicë të qëndrueshme prej 83 mandatesh në Kuvend.
Koçeku deklaron se nuk ka marrë mandatin e askujt, por se, sipas saj, për muaj me radhë i është mohuar ushtrimi i plotë i mandatit që i takon. Ajo shton se tani mandati është rikthyer te përfaqësuesja që e mban.
Deputetja sfidon mazhorancën që, nëse është e bindur për forcën e saj elektorale dhe për mungesën e peshës politike të saj si e pavarur, të shpërndajë Parlamentin dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Koçeku shprehet se do të kandidonte në Tiranë në një përballje të re elektorale. Ajo përdor edhe elemente ironike në adresimin e saj, duke përmendur simbolikisht “kecin” dhe “kmesën”, si dhe çështjen e përdorimit të gjuhës standarde.
Reagimi vjen një ditë pasi ajo njoftoi largimin nga grupi parlamentar socialist, duke hapur një përplasje të re politike mes deputetes dhe mazhorancës.
“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka. Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde”, shkruan ajo.
Per tu pershendetur. ????????????????