TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Qershor 2026, 22:11

"Pendohet" Lajla Përnaska: Kërkoj ndjesë për votën e vitit 2008 për ndryshimet kushtetuese

Shkruar nga Pamfleti
"Pendohet" Lajla Përnaska: Kërkoj ndjesë për
Lajla Përnaska

Ish-deputetja Lajla Përnaska ka deklaruar se mban përgjegjësi personale për votën e saj pro ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, duke theksuar se ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë ndjesë publike për atë vendim.

E ftuar në emisionin "Review" në Euronews Albania, Përnaska u shpreh se protesta qytetare është një thirrje për përgjegjshmëri dhe një reagim kundër sistemit politik që, sipas saj, është ndërtuar nga dy partitë kryesore.

"Themeli është te ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Unë ndiej një përgjegjësi akoma më të madhe dhe personale, sepse jam votuese e atyre ndryshimeve. Kam kërkuar ndjesë publike dhe do të vazhdoj të kërkoj ndjesë publike për atë votim që kam bërë në vitin 2008", u shpreh Përnaska.

Sipas ish-deputetes, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 krijuan një sistem jopërfaqësues, që favorizon mbajtjen afatgjatë të pushtetit dhe kufizon mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Ajo argumentoi se sistemi zgjedhor i krijuar pas këtyre ndryshimeve "zhduku mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre", duke e kthyer, sipas saj, parlamentin "nga parlament i qytetarëve në parlament të kryetarëve".

Përnaska shtoi se ndryshimet kushtetuese, së bashku me ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe heqjen e mocionit të mosbesimit për kryeministrin, kanë prodhuar një "republikë kryeministrore" dhe një sistem politik që ka sjellë stagnacion dhe ka penguar rotacionin politik.

Sipas saj, klima aktuale politike është produkt i veprimit të dy partive kryesore, PS dhe PD, ndërsa protestat përfaqësojnë një reagim ndaj establishmentit politik dhe kërkesën për ndryshimin e sistemit.

lajla përnaska vota

Lini një Përgjigje