Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi këtë të hënë një takim në Kryesinë e Kuvendit me eurodeputetin Andrey Kovatchev, raporter në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Gjatë bisedës, dy zyrtarët diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, sfidat që lidhen me reformat dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua edhe protestës qytetare, e cila po vijon prej 16 ditësh.
Tabaku u shpreh se protestat nuk përfaqësojnë vetëm kundërshtimin ndaj një projekti apo vendimi të caktuar, por reflektojnë pakënaqësi më të gjera ndaj mënyrës së qeverisjes gjatë viteve të fundit. Sipas saj, për 13 vite janë ndërtuar mekanizma ligjorë që kanë favorizuar interesa të ngushta, duke ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve dhe konkurrencën e lirë.
Deputetja demokrate veçoi Ligjin e Investimeve Strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura si shembuj të këtij modeli. Ajo theksoi se opozita i ka kundërshtuar vazhdimisht këto nisma përmes amendamenteve parlamentare, deklaratave publike dhe komunikimit me institucionet europiane, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tyre në shtetin ligjor, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik.
Sipas Tabakut, një pjesë e madhe e kritikave të shprehura sot nga qytetarët përkojnë me shqetësime të ngritura më herët edhe nga partnerët europianë, të cilët kanë kërkuar rishikimin e legjislacionit që krijon trajtime preferenciale, cenon konkurrencën dhe dobëson mekanizmat e kontrollit institucional.
Në përmbyllje të takimit, Tabaku theksoi se integrimi europian nuk duhet parë vetëm si proces teknik i hapjes së kapitujve negociues, por si një proces që kërkon forcimin e institucioneve, respektimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek demokracia dhe barazia para ligjit.
“Me mikun Andrey Kovatchev dhe deputetët e parlamentit të ri Bullgar diskutova për integrimin europian dhe protestën qytetare.
Qytetarët kërkojnë ndryshim të një sistemi që ka kapur shtetin dhe ka dobësuar institucionet. Integrimi europian do të thotë më shumë se kapituj e konferenca; do të thotë standarde europiane, shtet ligjor dhe mundësi për shumicën.”, shkruan Tabaku.
ik nga kjo parti o jonida....PD eshte ne dretim te gabuar dhe pak skic....perfunduar ne kult familjar e farefisnor.....ska lidhje me kombin ne teresi...JENI E NJETA FYTYRE SI e PS....PD PS binjaket perfunduar ne GRUPE TE STRUKTURUARA KRMINALE....me interesa pakice personale dhe farefisnore