Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij 'Flasim' ka sulmuar sërish protestuesit, që prej dy javësh dalin çdo ditë në shesh për të kërkuar largimin e tij nga qeveria.
Kreu i qeverisë i konsideroi protestuesit si ‘hajvanë’ me mendësi fashiste, që siç sipas tij nuk shohin që Shqipëria është më mirë se kurrë.
“Është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se demonstratat nisën pas një ngjarjeje që e cilësoi si një "akt skandaloz", i dënuar menjëherë në aspektin ligjor dhe institucional, por argumentoi se protesta më pas u shndërrua në një terren ku, sipas tij, po përplasen interesa më të gjera ndërkombëtare.
"Natyrisht që protesta është shëmbëlltyrë e një vendi demokratik. Natyrisht që është shëndeti demokratik i vendit që ka një protestë e cila lind dhe formësohet jo rreth partive, jo pas partive. Edhe pse tani partitë janë të gjitha të futura aty, duke hedhur gurët, e fshehur duart disa, ndërkohë që ndonjë tjetër, siç janë llapaqorrat, janë aty. Por po aq e rëndësishme është që të mos humbasim aftësinë për të dalluar mes debatit dhe histerisë, mes kritikës dhe shpifjes, mes argumentit pasionant dhe bullizmit, kërcënimit, presionit, denigrimit të tjetrit. Shqipëria nuk mund të ecë përpara, duke u paralizuar nga frika prej një ndryshimi të madh, prej një projekti të madh, prej një investimi që është më i madhi në historinë e vendit tonë. Dhe, patjetër që, do të ecim përpara, duke dëgjuar çfarë duhet të dëgjojmë, duke mësuar nga çfarë na thonë ata që nuk janë dakord me ne, por duke vazhduar të ndërtojmë, të ndërtojmë Shqipërinë me forcën e Partisë Socialiste, që është forca që ka marrë reforma, ka ndërmarrë reforma të vështira, ka shtyrë përpara procese që shpesh janë kundërshtuar, por që sot kanë ndryshuar rrënjësisht edhe gjendjen, edhe pozicionin e Shqipërisë. Dhe, për këtë, mjafton të kthejmë mbrapa kokën, jo më shumë, po 10 vjet, dhe për të parë se ku ishim në raport me botën, në raport me ekonominë, me institucionet, me të gjitha. Dhe, faktikisht, nuk ka simbolikë më të fortë se fakti që ky 35-vjetor na gjeti edhe në pikën më të avancuar të rrugës sonë europiane. Pak javë më parë hymë në fazën e fundit të negociatave për anëtarësim, që është faza e mbylljes së kapitujve, duke afruar më shumë se kurrë me atë objektiv historik dhe strategjik që shqiptarët e kanë ndjekur me dekada dhe që ne e kemi fiksimin tonë ditë për ditë, ditë për ditë, ditë për ditë", tha Rama.
Fashizmi ishte një lëvizje (Frymë) sociale plus nacionalizëm ekstrem. Qeverisja Rama zero ndjeshmëri sociale plus paaftësi qeverisëse plus qeverisje mafjoze