Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec, duke ironizuar protestuesit dhe ata që, sipas tij, po paraqesin si fitore rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se disa prej mbështetësve të protestës po festojnë një sukses që nuk ka lidhje me çështjen e Zvërnecit.
“Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë”, shkruan ai.
Kryeministri pretendon se amendamenti i miratuar nga eurodeputetët nuk lidhet me zonën e Pishë Poro-Nartës, ku po kundërshtohet projekti, por me një tjetër zonë të mbrojtur.
“Amendamenti i ‘fitores’ u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë”, deklaron Rama.
Në reagimin e tij, Rama përdor sërish metaforat e “flamingove”, “sorrave” dhe “korbave”, duke akuzuar kundërshtarët e projektit se po keqinformojnë qytetarët dhe po nxisin tensione përmes rrjeteve sociale.
Ai sulmoi gjithashtu figura publike dhe aktivistë që mbështesin protestën, duke i cilësuar si nxitës të një “histerie digjitale”.
“Rishikimi i konceptit ‘fitore’ do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura do të jenë pjesë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe do të kalojnë në një analizë të përbashkët me Komisionin Europian për të verifikuar përputhshmërinë me standardet e BE-së.
"Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!
Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm.
Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro - Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë - Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale.
Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së.
Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar.", shkruan Rama.
Lini një Përgjigje