Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se edhe Bashkimi Evropian është kundër ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, duke iu referuar deklaratave të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë fjalës së tij, Strazimiri u ndal te projekti për Zvërnecin, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, BE ka kërkuar shfuqizimin e amendamenteve të miratuara në vitin 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Deputeti demokrat tha se ky nuk është një qëndrim i opozitës, por një kërkesë e Bashkimit Evropian, duke iu referuar deklaratave të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Në përfundim të fjalës së tij, Strazimiri pati edhe një replikë me drejtuesin e seancës, duke sqaruar se shpjegimi i votës bëhet kur votohet kundër një nisme dhe jo kur ajo mbështetet.
"Për projektin në Zvërnec mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE dhe ka një sërë ligjesh që duhet të ndryshohen. Para se të nisin protestat, kishim rënë dakord me qeverinë shqiptare që të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe për investimet strategjike.
Nuk është citimi i Berishës, është citimi i shoqes Marta Kos që vjen këtu dhe puth në gushë Edi Ramën. Kjo është kërkesë e BE dhe jo vetëm e opozitës. Nuk bëhet shpjegim vote kur është pro, por kur është kundër Niko”, tha Strazimiri.
Lini një Përgjigje