Ditën e sotme është mbledhur Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, takim i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Takimi zhvillohet në prag të seancës plenare të së martës dhe pritet të përqendrohet te qëndrimet dhe diskutimet e mazhorancës lidhur me çështjet e parashikuara në rendin e ditës së Kuvendit.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë porositë e kryeministrit Edi Rama për deputetët, në dritën e zhvillimeve të fundit politike dhe protestave që vijojnë prej katër javësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët e Tiranës.
Rendi i ditës i seancës plenare
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në seancë plenare më 30 qershor 2026, në orën 10:00, në zbatim të urdhrit zyrtar të mbështetur në Rregulloren e Kuvendit dhe kalendarin e punimeve për periudhën 15 qershor – 3 korrik 2026.
Në rendin e ditës janë parashikuar shqyrtimi i disa projektligjeve dhe projektrezolutave që lidhen me institucionet kryesore të administratës publike, si edhe raportet e tyre vjetore.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 18 qershor 2026, si dhe me njoftimet procedurale të zakonshme.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin “Për kontrollet zyrtare dhe aktivitete të tjera zyrtare”, i cili synon të forcojë zbatimin e legjislacionit në fushën e ushqimit, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si edhe mbrojtjen e bimëve dhe produkteve bujqësore në Shqipëri.
Në vijim, Kuvendi pritet të diskutojë dhe të vlerësojë veprimtarinë vjetore për vitin 2025 të disa institucioneve, mes tyre:
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
Departamenti i Administratës Publike;
Autoriteti i Konkurrencës;
Komisioni i Prokurimit Publik;
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit;
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit;
Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Lini një Përgjigje