TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Shkurt 2026, 12:31

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të hënën nis faza finale

Shkruar nga Pamfleti
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë,
Ish-krerët e UÇK

Prokuroria dhe mbrojtja paraqesin argumentet finale në Dhomat e Specializuara të Kosovës

Të hënën nis faza finale e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në këtë etapë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ekipet mbrojtëse dhe vetë të pandehurit do t’i paraqesin trupit gjykues qëndrimet dhe argumentet e tyre përfundimtare. Procesi përfshin ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Prokuroria ka ngritur akuza ndaj katër të pandehurve, ndërsa ata i kanë mohuar duke i konsideruar të pambështetura. Edhe mbrojtja ka kundërshtuar aktakuzën, duke theksuar se UÇK-ja nuk ka funksionuar me një zinxhir të strukturuar komandues dhe se veprat penale të pretenduara nuk janë vërtetuar.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se konfirmimet për pjesëmarrje në seancat përmbyllëse u janë dërguar të gjithë personave të akredituar. Seancat do të zhvillohen nga 9 deri më 13 shkurt në objektin e gjykatës në Hagë.

Interesimi për ndjekjen e procesit ka qenë i lartë, por kapaciteti i galerisë për publikun ka qenë i kufizuar, çka ka bërë që jo të gjithë aplikuesit të marrin konfirmim. Seancat do të transmetohen edhe online, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, me vonesë prej 45 minutash.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ka nisur më 3 prill 2023, rreth tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, dhe ka pasur jehonë të gjerë publike brenda dhe jashtë Kosovës.

Gjatë vitit të fundit janë mbajtur disa protesta në qytete të ndryshme në mbështetje të të pandehurve, ndërsa një tjetër tubim është paralajmëruar në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

 

kosova gjykimi hage

Lini një Përgjigje