TAGS-AT E JAVËS

Kosova25 Qershor 2026, 20:20

Haga konfirmon afatin, më 20 korrik jepet vendimi për ish-krerët e UÇK-së!

Shkruar nga Pamfleti
Haga konfirmon afatin, më 20 korrik jepet vendimi për ish-krerët
Ish-krerët e UÇK

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë konfirmuar se, për momentin, mbetet në fuqi afati i 20 korrikut për shpalljen e aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një përgjigje zyrtare për mediat, Gjykata bëri të ditur se procedura po vijon sipas afateve të përcaktuara nga vendimi i fundit i Trupit Gjykues, i miratuar më 5 maj 2026.

Megjithatë, Dhomat e Specializuara sqarojnë se nuk përjashtohet mundësia e një shtyrjeje të re të afatit, nëse një masë e tillë do të konsiderohej e domosdoshme.

"Nëse një zgjatje e mëtejshme do të konsiderohej absolutisht e nevojshme, Trupi Gjykues do të nxirrte një urdhër përkatës në kohën e duhur", thuhet në deklaratën zyrtare të DHSK-së.

Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, për shkak të ndikimit të tij në Kosovë dhe në rajon. Vendimi pritet me interes të lartë nga opinioni publik, ndërsa gjykata ka bërë të ditur se çdo ndryshim i mundshëm i afatit do të komunikohet zyrtarisht përmes një vendimi të veçantë.

uck haga hashim thaçi

Lini një Përgjigje