PSG-ja është gati për sfidën më të rëndësishme të sezonit. Në prag të finales së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, trajneri Luis Enrike u shfaq optimist dhe i motivuar, duke theksuar se skuadra e tij është e përgatitur për të dhënë maksimumin në ndeshjen që mund t’i sjellë klubit trofeun më të rëndësishëm europian.
Tekniku spanjoll vlerësoi lart kundërshtarin, duke e cilësuar Arsenalin si skuadrën më të mirë angleze të këtij sezoni.
“Arsenali ka qenë skuadra më e mirë në Premier Ligë këtë vit, ata e merituan të fitonin Premier Ligën. Këto dy ekipe kanë ide të ngjashme loje, por kanë ndjekur rrugë të ndryshme. Ata janë një ekip që shënon shumë gola, ndërsa ne jemi një ekip që mbrohet shumë mirë”, deklaroi Enrike.
Trajneri i PSG-së tha se skuadra ka pasur kohën e nevojshme për t’u përgatitur dhe për të analizuar kundërshtarin në detaje.
“Jemi përpjekur t’u japim lojtarëve pushim në fund të seancave stërvitore. Kemi pasur kohë të analizojmë kundërshtarët tanë dhe i njohim shumë mirë. Ka ende fusha ku mund të përmirësohemi, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje”, u shpreh ai.
Enrike theksoi se finalet e Ligës së Kampionëve janë mundësi të rralla dhe duhet të shfrytëzohen maksimalisht.
“Nuk e di kurrë nëse do të rikthehesh në një finale të Ligës së Kampionëve, kështu që duhet të japim më të mirën tonë.”
Duke kujtuar rrugëtimin europian të ekipit të tij, ai vlerësoi paraqitjet ndaj disa kundërshtarëve të fortë gjatë këtij sezoni.
“Ndaj Bajernit është ndeshja që kam shijuar më shumë në Ligën e Kampionëve. Në ndeshjet kundër Çelsit, Monakos dhe dhe Liverpulit, treguam ekipin që jemi. Jemi në finalen tonë të dytë të Ligës së Kampionëve dhe kjo është historike për ne.”
Sa i përket finales, tekniku spanjoll nuk sheh favorit të qartë, duke theksuar se detajet do të bëjnë diferencën.
“Nuk mendoj se ka ndonjë favorit tani, por duhet të shfrytëzojmë detajet e vogla. Do të ketë shumë tension dhe duhet të përballemi me të.”
Enrike foli edhe për presionin që shoqëron drejtimin e një klubi si PSG.
“Nëse humbasim tre ndeshje radhazi, ka kaos absolut. Nëse fitojmë vazhdimisht, kjo konsiderohet normale. Gjatë tre sezoneve të fundit kemi treguar se jemi një ekip që luan futboll shumë të mirë dhe kemi demonstruar qendrueshmëri.”
Në fund, trajneri parisien nënvizoi motivimin maksimal të skuadrës dhe dha lajme pozitive për gjendjen e dy titullarëve të rëndësishëm.
“Nuk ka motivim më të madh sesa të luash në finalen e Ligës së Kampionëve. Do ta shohim nesër kush është më i mirë dhe kush e fiton titullin. Hakimi dhe Nuno Mendes janë mirë. Mund të luajnë nesër”, përfundoi Luis Enrike.
Lini një Përgjigje