Ndeshja për vendin e tretë në Kupën e Botës mes Anglisë dhe Francës, e fituar nga “Tre Luanët” me rezultatin spektakolar 6-4, ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien mes Xhud Belingam dhe Kilian Mbape.
Dy yjet e Realit të Madridit u përballën si kundërshtarë me kombëtaret e tyre dhe pas sfidës nuk munguan spekulimet për një raport të ftohtë mes tyre. Para nisjes së takimit, të dy shkëmbyen disa gjeste miqësore, ndërsa Mbape ia bëri edhe me sy Belingamit gjatë ceremonisë së përshëndetjes së ekipeve.
Megjithatë, pas vërshëllimës së fundit, kamerat nuk filmuan asnjë përshëndetje mes dy futbollistëve. Mbape u drejtua menjëherë drejt stolit të Francës, ndërsa Belingam ndaloi për të përshëndetur disa lojtarë francezë, mes tyre edhe shokun e tij të ri të skuadrës, Ibrahima Konate. Ky moment ka mjaftuar që në rrjetet sociale dhe mediat sportive të rikthehen zërat për një marrëdhënie jo të mirë mes dy yjeve madrilenë.
Këto spekulime lidhen edhe me disa episode të sezonit të kaluar te Reali, ku në disa pamje televizive Belingam dukej se injoronte Mbapen gjatë një ndeshjeje. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, marrëdhënia mes tyre ishte ftohur për shkak të mendimeve të ndryshme brenda dhomës së zhveshjes lidhur me punën e trajnerit të atëhershëm, Çabi Alonso.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar asnjëherë zyrtarisht nga klubi apo vetë futbollistët. Me ardhjen e Zhoze Murinjos në stolin e Realit të Madridit, mbetet për t'u parë nëse tekniku portugez do të arrijë të ruajë harmoninë në një skuadër të mbushur me emra të mëdhenj dhe personalitete të forta.
Lini një Përgjigje