Sulmuesi i Manchester United, Matheus Cunha, realizoi dy gola, ndërsa Vinícius Júnior shënoi të tretin në fitoren e parë të Brazilit në Kupën e Botës 2026...
Brazili siguroi fitoren e parë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Haitin me rezultatin 3-0 në Filadelfia. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë falë paraqitjes së shkëlqyer të treshes Lucas Paqueta, Matheus Cunha dhe Vinicius Junior.
Pas një debutimi jo bindës në turne, “Seleçao” reagoi me një paraqitje dominuese ndaj Haitit. Cunha realizoi dy golat e parë të takimit, ndërsa Vinicius vulosi rezultatin 3-0 pak para pushimit.
Brazili kontrolloi lojën që nga minuta e parë. Në minutën e 11-të, Raphinha dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Sulmuesi i Barcelonës krijoi edhe një tjetër rast të mirë në minutën e 21-të, por tentativa e tij përfundoi jashtë.
Epërsia erdhi në minutën e 23-të. Pas një goditjeje të Viniciusit dhe një ndërhyrjeje të portierit Placide, topi devijoi te Cunha, i cili përfitoi për të shënuar për 1-0.
Goli i dytë erdhi në minutën e 36-të pas një kundërsulmi të shpejtë. Paqueta rikuperoi topin në mesfushë, Vinicius nisi aksionin dhe shërbeu për Cunha, i cili me një goditje të fuqishme dyfishoi avantazhin.
Në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, Paquetá dha një tjetër asist të saktë në thellësi. Vinícius shpërtheu drejt zonës dhe mposhti portierin kundërshtar për rezultatin përfundimtar 3-0.
Në pjesën e dytë, Brazili uli ritmin, ndërsa Ancelotti shfrytëzoi rastin për të pushuar disa lojtarë. Haiti pati mundësinë më të mirë në minutën e 63-të, kur Alisson priti një goditje me kokë të Adé, ndërsa Danilo largoi topin mbi vijën fatale.
Vinicius dhe Martinelli krijuan gjithashtu raste të tjera për brazilianët, ndërsa Endrick pa një gol të anuluar për pozicion jashtë loje.
Me këtë fitore, Brazili ngjitet në kuotën e katër pikëve dhe kryeson Grupin C me pikë të barabarta me Marokun. Skocia ndjek me tri pikë, ndërsa Haiti mbetet pa asnjë pikë. Në ndeshjen e ardhshme, Brazili do të përballet me Skocinë, ndërsa Haiti me Marokun.
Lini një Përgjigje