Sipas raportimeve të mediave italiane, lëvizjet e Interit në merkaton e verës do të varen në masë të madhe nga largimet e disa futbollistëve. Klubi synon të krijojë hapësira në organikë dhe të sigurojë të ardhura përmes shitjes së lojtarëve që nuk konsiderohen pjesë e projektit teknik.
Në listën e futbollistëve që pritet të largohen janë edhe mesfushori shqiptar Kristjan Asllani dhe mbrojtësi francez Benxhamin Pavard. Për të dy lojtarët, agjenti Federiko Pastorelo ka zhvilluar një takim në selinë e Interit, ku ka marrë detyrën për të gjetur oferta konkrete për transferimin e tyre.
Sipas të njëjtave burime, Interi i vlerëson Asllanin dhe Pavardin me një shifër që luhatet nga 12 deri në 15 milionë euro për secilin. Interesimi më i madh deri tani raportohet të vijë nga jashtë Italisë, ndërsa klubet e Arabisë Saudite po shfaqen si një alternativë gjithnjë e më e mundshme për të dy futbollistët.
E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet ende e hapur, por java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar destinacionin e tij të ri dhe për të mësuar nëse mesfushori shqiptar do t'i japë fund aventurës me fanellën e Interit.
Lini një Përgjigje