FIFA ka reaguar zyrtarisht lidhur me golin e anuluar të Kroacisë në përballjen ndaj Portugalisë, një vendim që do ta kishte çuar rezultatin në 2-2. Sipas institucionit, anulimi i golit u bë i mundur falë teknologjisë së integruar në topin zyrtar të Kupës së Botës, e cila identifikoi një prekje vendimtare gjatë ndërtimit të aksionit.
Në njoftimin e saj, FIFA thekson se teknologjia "Connected Ball Technology", e integruar në topin zyrtar adidas Trionda, konfirmoi kontaktin e lojtarit kroat Igor Matanoviç me topin, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimin për pozicion jashtë loje.
“Sipas të dhënave të ofruara nga teknologjia ‘Connected Ball Technology’, e integruar në topin zyrtar të ndeshjeve adidas Trionda të Kupës së Botës FIFA, u vërtetua se pati kontakt me topin nga lojtari i Kroacisë, Igor Matanoviç (numri 20), gjatë ndërtimit të aksionit që çoi te goli kundër Portugalisë. Kjo i mundësoi arbitrit të përcaktonte saktë pozicionin jashtë loje dhe ta anulonte golin.
Sensorët IMU të vendosur brenda topit Trionda janë në gjendje të zbulojnë edhe prekjen më të vogël të topit. Kjo u shfaq për shikuesit gjatë transmetimit përmes një grafike të quajtur ‘heartbeat’ (‘rrahja e zemrës’), duke u dhënë zyrtarëve të ndeshjes një nivel të paprecedentë të dhënash për të marrë vendime të shpejta dhe të sakta”, thuhet në reagimin zyrtar të FIFA-s.
Portugalia e fitoi takimin, ndërsa në fazën e 1/8-ave do të përballet me Spanjën në një nga sfidat më të forta të turneut.
Ok eshte ashtu siç thote fifa! Po penalltia ishte njesoj si penalltia e gjermanise me paraguain por qe gjermanise nuk ju dha.! Kjo ndeshja kroacise ishte e paracaktuar.