Holanda ka mbyllur në avantazh 2-0 pjesën e parë të përballjes ndaj Suedisë, e vlefshme për Grupin F të Kupës së Botës.
“Tulipanët” e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke kaluar në avantazh që në minutën e pestë. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një kombinimi të bukur ofensiv, Brian Brobi finalizoi me sukses një top të dhënë në zonë nga Kodi Gakpo, duke tundur rrjetën për 1-0.
Sulmuesi i Sandërlendit vijoi të ishte protagonist edhe në minutën e 17-të. Këtë herë, Brobi përfitoi nga një asist i Denzel Dumfris nga krahu i djathtë dhe e dërgoi sërish topin në rrjetë, duke dyfishuar shifrat për holandezët.
Suedia u përpoq të reagonte dhe iu afrua golit në minutën e 37-të me Viktor Giokeres, por tentativa e tij u ndal nga një pritje e shkëlqyer e portierit Bart Verbrugen.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, suedezët arritën të gjenin rrugën e rrjetës me Gustaf Lagerbielke, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje standarde. Megjithatë, goli u anulua nga arbitri për pozicion jashtë loje pas verifikimit të aksionit.
Pas 45 minutave të para, Holanda shkon në dhomat e zhveshjes me avantazhin e merituar 2-0 ndaj Suedisë.
Lini një Përgjigje