Xhorxh Rasëll do ta nisë nga vendi i parë Çmimin e Madh të Austrisë në Formula 1, pasi regjistroi kohën më të shpejtë në sesionin kualifikues të zhvilluar të shtunën në pistën "Red Bull Ring".
Piloti britanik i Mercedes ndaloi kronometrin në 1:06.113, një xhiro që fillimisht u vu nën hetim, pasi u regjistrua në momentet kur në pistë ishin shfaqur flamujt e verdhë. Megjithatë, drejtuesit e garës e konfirmuan rezultatin, duke i dhënë Rasëll "pole position"-in për garën e së dielës.
Shkak për flamujt e verdhë u bë aksidenti i kampionit në fuqi, Maks Vershtapen. Piloti i Red Bull humbi kontrollin e makinës në kthesën e parafundit teksa po tentonte të përmirësonte kohën e tij, duke u përplasur dhe mbyllur përpjekjen për një vend në rreshtin e parë. Si pasojë, holandezi do ta nisë garën nga vendi i pestë.
Ferrari u rikthye në nivele konkurruese pas një dite të vështirë në provat e lira. Sharls Lëklerk siguroi vendin e dytë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton, u rendit i treti, duke i dhënë ekipit italian një pozicion shumë të favorshëm në nisje.
Në vendin e katërt u klasifikua italiani Kimi Antoneli me Mercedes, duke kompletuar një paraqitje të fortë të skuadrës gjermane. Pas Vershtapenit u renditën dy makinat MekLaren, me Lando Norris përpara Oskar Piastrit. Dhjetëshen më të mirë e plotësuan Isak Hadjar, Liam Lauson dhe Arvid Lindblad.
Pista e shkurtër e "Red Bull Ring" prodhoi diferenca minimale mes pilotëve, çka premton një garë të ekuilibruar dhe me shumë parakalime. Një rol të rëndësishëm pritet të luajnë temperaturat e larta të parashikuara për të dielën, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në konsumimin e gomave dhe strategjitë e skuadrave.
Lini një Përgjigje