TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Qershor 2026, 22:56

Zvicra mposht Kanadanë dhe pret biletën mes 32 më të mirave, kanadezët i bashkohen SHBA-së dhe Meksikës si vende organizatore

Shkruar nga Pamfleti
Zvicra mposht Kanadanë dhe pret biletën mes 32 më të mirave,
Bosnje-Hercegovina

Zvicra dhe Kanadaja janë dy kombëtaret e Grupit A që kanë siguruar zyrtarisht kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Botërorit.

Në ndeshjen e zhvilluar në Vankuver, Zvicra triumfoi 2-1 ndaj Kanadasë, duke mbyllur grupin në vendin e parë me 7 pikë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por helvetët zhbllokuan rezultatin menjëherë pas rikthimit nga pushimi i ndeshjes. Në minutën e 46-të, Ruben Vargas finalizoi me sukses një kundërsulm të shpejtë pas asistit të Johan Manzambi.

Zvicra dyfishoi avantazhin në minutën e 57-të, kur kësaj radhe ishte Johan Manzambi ai që gjeti rrugën e rrjetës, pas një pasimi të Bril Embolo.

Kanadezët reaguan në minutën e 76-të. I sapofuturi në lojë, Promis Dejvid, shënoi për 2-1 pas një asisti të shkëlqyer nga Natan Saliba, por vendasit nuk arritën të shmangnin humbjen. Pavarësisht disfatës, Kanadaja e mbylli grupin në vendin e dytë me 4 pikë dhe siguroi kualifikimin.

Ndërkohë, në sfidën e luajtur në Seattle, Bosnje-Hercegovina mposhti Katarin me rezultatin 3-1, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën tjetër të turneut.

Boshnjakët kaluan në avantazh në minutën e 29-të falë një supergoli të Kerim Alajbegovic. Talenti 18-vjeçar i Salzburgut realizoi nga distanca me një goditje spektakolare, në një nga golat më të bukur të këtij Botërori.

Vetëm pesë minuta më vonë, Bosnja dyfishoi rezultatin pas një autogoli të Sultan Al Brake, i cili devijoi në portën e tij goditjen e Edin Dzekos.

Katari ngushtoi diferencën në minutën e 42-të me Hasan Al Haydos, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 2-1. Megjithatë, në minutën e 80-të, Ermin Mamic vulosi fitoren e Bosnje-Hercegovinës me golin e tretë të takimit.

Me këtë sukses, Bosnja ngjitet në vendin e tretë të grupit me 4 pikë, po aq sa Kanadaja, por mbetet pas për shkak të golavarazhit. Ballkanasit do të presin rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të kualifikohen si një nga tetë kombëtaret më të mira të vendeve të treta.

Nga ana tjetër, Zvicra dhe Kanadaja do të mësojnë kundërshtarët e tyre në raundin tjetër pas përfundimit të ndeshjeve të Grupit B.

Renditja përfundimtare e Grupit B:

Zvicra – 7 pikë

Kanadaja – 4 pikë

Bosnja dhe Hercegovina – 4 pikë

Katari – 1 pikë

zvicra katari bosnje hercegovian kanadaja kupa e botës

Lini një Përgjigje