Raportimet e fundit nga Greqia e lidhin mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Juljan Shehu, me një transferim të mundshëm tek AEK-u i Athinës gjatë merkatos së verës.
Sipas medias greke “sport-fm.gr”, trajneri i AEK-ut, Marko Nikoliç, e ka vendosur 27-vjeçarin shqiptar në krye të listës së dëshirave për përforcimin e repartit të mesfushës. Interesimi vjen pavarësisht faktit se Shehu është aktualisht pjesë e klubit polak Uidzju Lodz dhe ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2028.
Shehu njihet kryesisht për rolin e tij si mesfushor defensiv, por gjatë karrierës ka treguar fleksibilitet të madh taktik, duke luajtur me sukses edhe si mesfushor qendror apo ofensiv. Pikërisht kjo aftësi për të mbuluar disa pozicione në mesfushë thuhet se e ka bërë atë një nga objektivat më të pëlqyer të teknikut serb.
Sipas të dhënave të portalit Transfermarkt, vlera e kartonit të futbollistit shqiptar llogaritet rreth 3.5 milionë euro.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka konfirmim zyrtar për negociata mes palëve. Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë vetëm për interesim të raportuar nga mediat greke apo nëse AEK-u i Athinës do të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e Juljan Shehut në javët në vijim.
Lini një Përgjigje