
Pas emërimit të Vlorës Hyseni, ish-këshilltare e Ramës, shërbimi informativ shtetëror përdoret për gjurmime të politikanëve, gazetarëve e biznesmenëve të piketuar nga Kryeministri...
Që nga shtatori 2022, kur në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) u emërua Oljan Kanushi, ish-këshilltar i kryeministrit Edi Rama, shërbimi sekret nisi të përdorej si një zyrë personale informacioni, duke kryer aktivitete të ngjashme me ato të Gestapos, sipas urdhërave dhe interesave të Ramës.
Kjo praktikë u denoncua tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkuan kthimin e aktivitetit të SHISH-it brenda ligjit dhe larg qëllimeve personale të kryeministrit. Madje, u përpilua edhe një raport me prova konkrete për keqpërdorimin e shërbimit sekret.
Megjithatë, edhe pas emërimit të Vlorës Hyseni në prill të vitit 2023, SHISH vazhdon të veprojë sipas modelit të vendosur nga paraardhësi Kanushi. Hyseni, gjithashtu ish-këshilltare e Ramës, ka mbajtur aktiv një grup special agjentësh, që gjurmojnë persona dhe subjekte të veçanta të përcaktuara nga vetë Rama.
Informacionet e mbledhura nga SHISH ndahen në dy kategori: dosjet sensitive, përfshirë ato që lidhen me sigurinë kombëtare, dorëzohen ekskluzivisht tek Rama, duke vepruar si një shërbim privat. Ndërsa informacionet më pak sensitive dërgohen në SPAK, Polici dhe Prokurori.
Sipas nenit 5 të ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror, drejtuesi i SHISH duhet t’i raportojë në të njëjtën kohë Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit për informacionet që lidhen me sigurinë kombëtare. Por aktualisht, informacioni dorëzohet vetëm tek Rama, duke anashkaluar institucionet e tjera shtetërore.
Gjithashtu, raportet tregojnë se SHISH, me urdhër të Vlorës Hyseni, gjurmon politikanë, qeveritarë, gazetarë dhe biznesmenë sipas listave që i përcakton Rama. Këto informacione dorëzohen vetëm tek kryeministri, pa regjistrime zyrtare në arkivën e SHISH-it.
Sipas nenit 9 të ligjit, SHISH-it i ndalohet të kryejë veprimtari me karakter policor dhe të raportojë në mënyrë private tek kryeministri. Kjo situatë ka shkaktuar ndërprerjen e bashkëpunimit mes SHISH dhe institucioneve të tjera si Policia, SPAK-u dhe Prokuroria, duke krijuar një praktikë të paprecedentë dhe të rrezikshme për shtetin e së drejtës./Pamfleti
Lini një Përgjigje