TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë24 Dhjetor 2023, 12:38

Dy “grekët” e kolltukut të Bashkisë Himarë: një i Bablokut, një i Saliut

Shkruar nga Pamfleti
Dy “grekët” e kolltukut të Bashkisë Himarë:
Dy "grekët" e Himarës /

Të dy “grekët” Jorgo e Fredi, i kanë familjet në Greqi prej 30 vitesh, ku trajtohen me favore të shumta nga Shteti Grek, ndërsa krerët e politikës shqiptare, i përdorin si karta lufte personale, me pasojë cenimin e interesave të Shqipërisë...

Një javë pasi Greqia vendosi veton kundër vazhdimit të negociatave të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama zbatoi urdhrin e kryeministrit grek, Kostandin Micotaqis, për të mos lënë humbësin Jorgo Goro në krye të Bashkisë së Himarës.

Pa asnjë tagër ligjor, Babloku deklaroi, se do ta largojë Jorgo Goron nga detyra, ngaqë ai është humbës e nuk është logjike, që humbësi të qëndrojë krye bashkiak, duke paralajmëruar, se Bashkia e Himarës do drejtohet me administrator, por neni 61 i ligjit për pushtetin vendor, përcakton se kryetari që humbet zgjedhjet, qëndron në detyrë deri ditën që betohet kryetari i ri.

Në rastin konkret, gjersa për Fredi Belerin, u vendos të mos betohet me vendim të gjykatës, kryetari i KQZ duhet të shpallë ri-bërjen e zgjedhjeve dhe t’i kërkojë presidentit Bajram Begaj, caktimin e datës.

Deri tani, 7 muaj nga humbja e pushtetit të PS në Himarë, Babloku nuk lejoi zbatimin e ligjit, mbasi mendoi që me marifetin e gjykimit të Fredi Belerit, të mbante në detyrë Jorgo Goron, për të vijuar pazaret me tokat e plazhet dhe për të pastruar letrat e pista të 12 viteve sundim nga Goro.

Ndërsa tani, Babloku e quan anormale dhe shkelje ligji, që humbësi të vazhdojë detyrën pa mandatin e zgjedhësve, por përsëri do veprojë në shkelje të ligjit, për të drejtuar Bashkinë e Himarës me të emëruar prej tij, kur atje duhen ribërë zgjedhje brenda 45 ditëve.

Çështja “Beleri”, qysh në kandidimin e tij, ka qenë skenar tinëzar i Sali Berishës, duke e quajtur Fredi Belerin përfaqësues grek të minoritetit në Shqipëri, me synimin për të krijuar një kartë acarimi me Greqinë, si mundësi për dështimin e Edi Ramës me negociatat.

Ndërsa Edi Rama, me psiko-delirizmin se mund të urdhërojë e gjunjëzojë vendet anëtarë të BE, çështjen “Beleri” e trajtoi si konflikt me Greqinë, dhe Belerin e konsideroi një “grek palaço”.

E vërteta është, se Fredi Beleri i Saliut nuk është grek e as përfaqësues i minoritetit, por shqiptar i asimiluar, për të përfituar të mira materiale, dhe i kriminalizuar në akte kundër Shqipërisë, përdorur nga qarqet shoviniste greke.

Edhe Jorgo Goro i Bablokut, është shqiptar, ish-ushtarak që e ka pasur emrin Gjergj Goro, por u greqizua për interesa përfitimesh, duke kryer shërbime anti-shqiptare nën komandën e qarqeve shoviniste, madje është betuar se do jetë ushtar besnik i organizatës “Mavi” të Vorio- Epirit.

Të dy “grekët” Jorgo e Fredi i kanë familjet në Greqi prej 30 vitesh, ku trajtohen me favore të shumta nga Shteti Grek, ndërsa krerët e politikës shqiptare, i përdorin si karta lufte personale, me pasojë cenimin e interesave të Shqipërisë./Pamfleti

jorgo goro fredi beleri dy grekët e himarës

Lini një Përgjigje

Dosja e zezë