TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë18 Shtator 2025, 14:14

Sulmet e Edi Ramës ndaj njerëzve të Drejtësisë, të pa precedentë: Europa të reagojë!

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet e Edi Ramës ndaj njerëzve të Drejtësisë, të

Kryeministri godet gjyqtarë e prokurorë kur vendimet nuk i pëlqejnë, ndërsa mbyll sytë ndaj aferave të familjes, klaneve dhe oligarkëve të pushtetit...

Kryeministri Edi Rama vazhdoi sulmin ndaj punonjësve të drejtësisë, duke iu vërsulur gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Tiranës, Marko Boshku, lidhur me vendimin e tij për rikthimin në punë të një zyrtari policie të shkarkuar.

Nëse vendimi i gjyqtarit Boshku është në zbatim apo në shkelje të ligjit, këtë nuk e përcakton kryeministri, por Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, si organet kompetente për vlerësimin dhe hetimin administrativ të gjyqtarëve.

Para gjyqtarit Boshku, Rama ka sulmuar dhe denigruar publikisht prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, si edhe dy gjyqtarë të Gjykatës Administrative të Tiranës, Hazbi Balliu e Klarent Demiri, vetëm pse nuk i kanë pëlqyer vendimet e tyre.

Sulmet e kryeministrit ndaj vendimmarrjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe kërcënimet për t’i shkarkuar apo hetuar, përbëjnë ndërhyrje antikushtetuese në punët e pushtetit gjyqësor. Jo sepse Rama është “babai i reformës në drejtësi” dhe idhtar i ligjit, siç vetëshpallet, por sepse kërcënimet ndaj tyre janë një skemë parapritëse: që në rastet kur ai vetë, familja apo klanet e tij përballen me drejtësinë, të mos cënohen interesat e tyre.

Ky standard i dyfishtë është dëshmuar në disa raste që lidhen me ish-ministren dhe deputeten Olta Xhaçka, bashkëjetuese e Olsi Ramës. Rama kërcënoi publikisht SPAK-un kur nisi hetimin ndaj Xhaçkës për vendimin e paligjshëm që dha me koncesion Portin e Limionit në Sarandë për ndërtimin e një porti jahtesh. Ai kërcënoi edhe kur prokurorët hapën hetim ndaj saj për zhdukjen e rezervave të ushtrisë gjatë emergjencës pas tërmetit të nëntorit 2019.

Ndërkohë, Rama nuk reagoi kur prokurori i SPAK, Ols Dado, në shkelje të hapur të Kodit të Procedurës Penale, pushoi hetimin ndaj Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, për tokën e grabitur në Himarë me letra false. Por përmes mediave pranë tij, ai sulmoi dhe denigroi gjyqtaren Flora Hajredinaj, e cila rrëzoi pushimin e hetimeve dhe urdhëroi marrjen e çiftit Xhaçka–Gaçi si të pandehur.

Rama heshti kur SPAK apeloi në favor të tyre dhe kur gjyqtarja Ilirjana Olldashi pushoi përfundimisht hetimin.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me oligarkët e lidhur me pushtetin. Rama nuk ka sulmuar as prokurorët dhe gjyqtarët që kanë pushuar hetimet për Pëllumb Salillarin, Bashkim Ulajn, Janis Karathanon, Rrok Gjokën dhe të tjerë. Heshti për prokurorët që mbyllën çështjen “Xibraka” të Olsi Ramës. Heshti për ata që bllokuan hetimet ndaj Engjëll Agaçit, Ogerta Manastirliut, Frida Krifcës, Tom Doshit, Ymer Lalës, Rakip Sulit, Dritan Agollit të FSHZH-së, Gent Gazhelit të Doganave, madje edhe ndaj hetimeve për Edmond Haxhinaston, Shkëlzen Berishën dhe Fatmir Mediun.

Ai nuk sulmoi as gjyqtarët që vendosën në favor të Linda Ramës për tokën e marrë me letra false në Surrel, ku së bashku kanë ndërtuar sarajet./Pamfleti

sulmet e ramës ndaj njerëzve të drejtësisë europa të reagojë

1 Komente

  1. V
    Vala

    Domethene ju te Pamfletit e shihni normal lirimin nga burgu te gjyqtares Fetahu, si dhe shume veprimeve te tjera mafioze te drejtesise? Kjo drejtesi duhet shkundur e vene perpara ligjit, per mbrojtje e bashkepunim me mafien.

    Lini një Përgjigje