TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë15 Shtator 2025, 16:51

Batërdia me fondet e BE, Brukseli zbarkon në Tiranë për të hetuar qeverinë e Edi Ramës!

Shkruar nga Pamfleti
Batërdia me fondet e BE, Brukseli zbarkon në Tiranë për
Frida Krifca-Edi Rama

Brukseli mision special në Tiranë për të kontrolluar ku shkojnë fondet e BE...

Bashkimi Europian është vënë në lëvizje pas skandaleve që kanë ndodhur në vendin tonë me fondet e BE. Frida Krifca bëri "rrush e kumbulla" milionat që vinin përmes IPARD, ndërsa Ilir Beqaj përdorte fondet e BE për qoka. Ky i fundit është në burg, por Frida vijon të livadhisë, edhe pse fondet për bujqësinë janë bllokuar deri në 2026.

Zyra e Bashkimit Europian njofton se një delegacion nga Komisioni për Kontrollin Buxhetor, i udhëhequr nga Kryetari Niclas Herbst, do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë nga data 16 deri më 18 shtator 2025.

Eurodeputetët do të vlerësojnë ngritjen dhe funksionimin fillestar të mekanizmave të rinj të kontrollit dhe auditimit të krijuar në kuadër të Mekanizmit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, që synon të garantojë menaxhimin e shëndoshë financiar të fondeve të BE-së.

Ata do të udhëtojnë drejt Tiranës, kryeqyteti i Shqipërisë, ku do të takohen gjithashtu me përfaqësues dhe zyrtarë qeveritarë, me përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe do të vizitojnë vendndodhjen e një projekti të financuar nga BE-ja. Një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës në Tiranë do të përmbushë misionin më 18 shtator, në orën 14:00”, njoftoi BE.

Shqipëria dhe Mali i Zi, si vende kandidate për në BE, po marrin tashmë fonde nga BE-ja. Ne duam të zbulojmë se si monitorohen këto shpenzime dhe të shohim vetë ndikimin e parave në terren. Për të pasur një pamje gjithëpërfshirëse, do të takohemi jo vetëm me zyrtarë, por edhe me përfaqësues të shoqërisë civile”, tha Kryetari i Delegacionit Niclas Herbst përpara misionit.

Misioni tregon se Komisioni Europian është bindur përfundimisht se kryeministri Edi Rama nuk është i interesuar të zbardhë abuzimet me fondet e BE për bujqësinë dhe po mbron ish-drejtoreshën e AZHBR, Frida Krifca, e akuzuar për abuzime me 183 milionë euro nga programi IPARD II gjatë viteve 2017–2021.

Qëndrimi zyrtar i Komisionit ka qenë i qartë: derisa qeveria të ndëshkojë abuzuesit dhe drejtësia të veprojë, fondet IPARD III për Shqipërinë mbeten të bllokuara. Prej vitit 2020, fermerët shqiptarë nuk kanë përfituar asnjë euro nga grantet e Bashkimit Europian, dhe sipas njoftimit të fundit nga Brukseli, nuk do të marrin as në vitin 2026.

Komisioni Europian ka përsëritur që është i gatshëm të mbështesë sektorin agroushqimor shqiptar, por me kusht që fondet të mbrohen dhe të mos keqpërdoren. Brukseli kërkon që Shqipëria të marrë masa konkrete për të ndëshkuar përgjegjësit e skandalit IPARD II.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë hap, por ka mbrojtur publikisht Frida Krifcën, e cila u kallëzua penalisht nga Zyra Europiane e Antimashtrimit (OLAF). Madje, Kryeministri e shpërbleu fillimisht me postin e Ministres së Bujqësisë, dhe më pas si këshilltare në Kryeministri për fondet e BE.

Në vitin 2022, ndonëse OLAF kishte dorëzuar dosjen me hetim të plotë për Krifcën, Edi Rama i dha asaj autorizimin të firmoste marrëveshjen IPARD III me BE-në, një akt që Brukseli e refuzoi si të papranueshëm.

Tashmë përgjegjësia nuk i përket vetëm qeverisë. Edhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, po mban të bllokuar prej katër vitesh kallëzimin penal të OLAF, i cili përmban kontrata, prova filmike, emra përfituesish fiktivë dhe dokumente zyrtare të firmosura nga Frida Krifca.

Dumani është shprehur disa herë se “çështja është në hetim”, por faktet e deritanishme tregojnë të kundërtën: nuk është regjistruar procedim penal dhe BKH nuk është ngarkuar me hetimin, ndonëse të gjitha provat janë të gatshme.

Anëtarët e delegacionit dhe anëtarët shoqërues janë:

Niclas Herbst, Kryetar i Delegacionit të Komisionit (EPP, Gjermani)

Marco Tarquinio, Kryetar i D-AL (S&D, Itali)

Thomas Waitz, Kryetar i D-ME (Të Gjelbrit/EFA, Austri)

Claudiu Manda (S&D, Rumani)

Jacek Protas (EPP, Poloni)

Tomas Zdechovský (EPP, Çeki)

Karlo Ressler (EPP, Kroaci)

Dick Erixon (ECR, Suedi)

Jonas Sjöstedt (E Majta, Suedi)

/Pamfleti

Lini një Përgjigje