
Furtuna socialiste që po përmbys Madridin nuk njeh kufij familjarë. Në Tiranë, e njëjta familje politike gëzon mot të qetë. Pyetja e vetme është nëse era do të arrijë ndonjëherë deri këtu, apo kemi ndërtuar diga më të forta se spanjollët...
Pedro Sánchez po hyn në qershorin më të vështirë të karrierës së tij politike. Fjalën nuk e kanë më partitë rivale, as mediat. Fjalën e kanë tani gjykatat. Tre çështje gjyqësore, që përfshijnë njerëzit më të afërt të kryeministrit spanjoll, janë gati për t'u shpalosur njëra pas tjetrës në sallat e drejtësisë.
Vëllai i tij më i vogël, David Sánchez, përballet me akuzën se një bashki socialiste i krijoi një vend pune të posaçëm në vitin 2017. Bashkëshortja e kryeministrit, Begoña Gómez, duhet të shpjegojë në gjykatë përdorimin e fondeve shtetërore për një asistente personale dhe sponsorizimet e dyshimta për masterin universitar që ajo drejtonte. Ish-kryeministri historik i socialistëve, José Luis Rodríguez Zapatero, hetohet për trafik influence lidhur me shpëtimin financiar të një kompanie ajrore. Si të mos mjaftonin këto, Guardia Civil sapo kontrolloi selinë e Partisë Socialiste në Madrid për një hetim mbi financime të dyshuara të paligjshme. Një goditje që nuk kursen asnjë cep të pushtetit socialist.
Kjo është furtuna. Nuk po flasim më për akuza politike që hidhen e përtypen në ekranet e televizioneve. Flasim për njoftime zyrtare gjyqësore, për data seancash, për avokatë që përgatisin mbrojtjen. Familja e kryeministrit, ish-kryeministri dhe selia e partisë janë njëkohësisht në shënjestër.
Sánchez thotë se e gjitha kjo është një "operacion ngacmimi" i organizuar nga e djathta ekstreme dhe media të caktuara. Ndodh që organizata që bëri kallëzimet, Manos Limpias, ka vërtet një të kaluar në këtë drejtim: ka ndjekur objektiva politikë përmes gjykatave për vite me radhë. Megjithatë, gjykatave spanjolle kjo nuk u ka mjaftuar për t'i hedhur poshtë akuzat pa i hetuar.
Në Tiranë, një tjetër socialist e njeh mirë këtë lloj presioni. Edi Rama, ndryshe nga Sánchez, nuk ka parë kurrë një gjyqtar që t'i trokasë në derë as atij, as të vëllait. Dhe nuk bëhet fjalë për mungesë materiali.
Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar, ka lënë gjurmë në më shumë se një dosje penale. Në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Në skemën ndërkombëtare të call-center-ave "Milton Group", të arrestuarit e kanë përmendur si "tutor" të aktivitetit në Shqipëri me pasoja të rënda për shtetasit spanjoll, gjerman, austriak etj. Në Gjermani, dosja është ende e hapur. Në Shqipëri, ndërkohë, SPAK-u e mbylli hetimin për Xibrakën me argumentin se nuk kishte prova. Emri i Olsit në dosjen "Milton Group" u hoq nga lista e të dyshuarve. Nuk u hetua.
Spanja dhe Shqipëria kanë dy drejtësi që nuk ngjajnë me njëra-tjetrën, kjo dihet. Të krahasosh institucionet e një demokracie të konsoliduar evropiane me ato të një vendi që ende përpiqet të bindë Brukselin se ka gjyqtarë të pavarur, është pothuajse e pahijshme. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për krahasim institucionesh. Bëhet fjalë për diçka më thelbësore: refleksin politik.
Socialistët spanjollë, pavarësisht gjithë fuqisë së tyre, nuk arritën ta ndalonin makinerinë gjyqësore. Ndoshta as nuk e provuan seriozisht, ngaqë e dinin që nuk mund ta bënin dot pa u dukur si pengues të drejtësisë. Socialistët shqiptarë, përkundrazi, nuk kanë pasur nevojë ta ndalin makinerinë gjyqësore. Ajo thjesht nuk është ndezur.
Dallimi qëndron te kapaciteti për të kontrolluar pasojat. Sánchez po humbet kontrollin mbi narrativën dhe mbi orarin. Orën ia diktojnë gjykatat. Rama, ndërkohë, e mban ende orarën në dorë. Asnjë datë nuk është caktuar për të vëllanë. Asnjë njoftim nuk është dërguar. Asnjë gjyqtar nuk është shfaqur në horizont.
Po ku qëndron rreziku për Ramën?
Pikërisht te furtuna spanjolle. Kur një familje socialiste evropiane përballet hapur me gjykatat, pyetja që shtrohet natyrshëm në çdo kryeqytet tjetër bëhet e pashmangshme: pse jo edhe këtu? Nuk ka rëndësi që sistemet janë të ndryshme. Nuk ka rëndësi që akuzat nuk janë identike. Rëndësi ka që imazhi i një lideri socialist që nuk e mbron dot vëllanë nga gjyqtarët, bëhet standard i ri. Dhe standardi i ri e bën Ramën të duket jo si një kryeministër që i shpëtoi një padrejtësie, por si një kryeministër që nuk u përball kurrë me drejtësinë.
Deklarata e Ramës se "im vëlla u përdor si mish për top" funksionon në Tiranë. Në Madrid nuk po funksionon më as për Sánchez, të cilit po i duhet të shpjegojë jo fajësinë e familjarëve të tij, por faktin që ata janë thirrur të gjithë në gjykatë. Kur një familje socialiste evropiane hyn në këtë lloj rrethi, të gjithë të tjerët vihen nën dritë, deshën apo jo.
Rama e ka ndërtuar një pjesë të mirë të karrierës së tij mbi idenë se ai është reformatori që solli drejtësinë e re, SPAK-un, gjyqtarët që hetojnë pa frikë. Por kjo legjendë ka një pikë të verbër. Pikërisht aty ku ndodhet vëllai i tij. Të gjithë të tjerët mund të hetohen. Vetëm familja e kryeministrit jo.
Spanja e ka thyer këtë tabu. Dhe kur tabutë thyhen në një vend, jehona kalon kufijtë. Madridi nuk po gjykon thjesht familjen Sánchez. Madridi po i tregon gjithë Europës jugore se çfarë ndodh kur prokurorët e gjyqtarët vendosin të mos kenë frikë.
Në Shqipëri, kjo jehonë mbërrin e mbytur. Për momentin.. /Pamfleti
Lini një Përgjigje