Ministrja autorizon drejtoreshën të nënshkruajë të gjithë procesin e shitjes së pasurive publike ndërsa përgjegjësia ligjore mbetet te vartësit...
Ministrave u shijon të bëjnë qoka dhe kanë babëzi të “hanë dardha”, por frika nga prangat i ka tmerruar dhe po përdorin me vartësit të njëjtin marifet delegimi firme, siç kryeministri Edi Rama përdor ndaj tyre për të ligjëruar pazaret.
Të njëjtin marifet ka përdorur edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, për të realizuar pazaret pa lënë gjurmët e saj në shitjen e pasurive publike që janë piketuar për t’u privatizuar me çmime qesharake.
Me Autorizim Nr. 2006, datë 4 mars 2026, ministrja Delina Ibrahimaj ka ngarkuar Drejtoreshën e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Gensila Ilo, të urdhërojë, organizojë dhe finalizojë të gjithë procesin e shitjes së pasurive të shtetit.

Në autorizimin e dhënë nga ministrja thuhet:
· Drejtoresha Gensila Ilo do të nënshkruajë të gjithë dokumentacionin që lidhet me procedurat e shitjes së pronës që privatizohet, shoqëruar me vulën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
· Do të administrojë procesin e shitjes së pronës publike dhe marrëdhëniet me të tretët.
· Do të përgatisë mbylljen e procesit të shitjes së pronës publike, nënshkrimin e kontratave të shitjes, legalizimin e kontratave, autorizimin për dorëzimin e pronës dhe verifikimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore që do t’u kalojë në pronësi privatëve.
· Do të nënshkruajë korrespondencën me institucionet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë për kërkesat që lidhen me konfirmimin e dokumentacionit dhe dhënien e informacionit për privatizime të kryera ndër vite nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, ish-Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, ish-Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike dhe Drejtoria e Shitjes së Pronës Publike.
Pra, pazaret për shitjen e pasurive shtetërore do të bëhen nga qeveria dhe klientët e saj me çmimet që u leverdisin, pastaj do të dërgohen te ministrja Delina Ibrahimaj si kompetencë dikasteri, ndërsa procedurat, ankandet, kontratat me çmimet e paracaktuara dhe dorëzimi i pasurive te privatët do të firmosen nga drejtoresha Gensila Ilo, e cila do të mbajë edhe përgjegjësinë ligjore.
Ligji për funksionimin e administratës publike lejon vetëm delegim kompetencash me afat të caktuar, por jo kompetencat që specifikisht i takojnë ministrit. Në këtë rast, vendimi për privatizimin e pasurive publike është kompetencë e ministrit, ndërsa drejtorët duhet vetëm të zbatojnë urdhrin.
Për të shmangur përgjegjësinë penale, ministrja Delina Ibrahimaj nuk ka bërë delegim të përkohshëm për kompetencat që mund t’i zbatojnë vartësit, por i ka dhënë autorizim me urdhër të përhershëm drejtoreshës Gensila Ilo që të kryejë të gjithë proceset e shitjes së pasurive.
Sipas informacioneve, gjatë vitit 2026 janë piketuar për t’u privatizuar rreth 900 pasuri publike me çmime shumë të ulëta. Marrëveshjet për to do të bëhen nga drejtuesit politikë, ndërsa dokumentet do t’i firmosë drejtoresha, e cila sipas ligjit do të mbajë përgjegjësinë nëse procedurat rezultojnë në shkelje./Pamfleti
Per mua jo se e ka gabim se shkel neini paragraphs 1