TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë13 Mars 2026, 14:00

Hipokrizia e Ramës me HEC-et, sulmon aferën dhe shpërblen Ridvan Boden

Shkruar nga Pamfleti

Hipokrizia e Ramës me HEC-et, sulmon aferën dhe shpërblen Ridvan

Kryeministri kërkon nga SPAK të hetojë shitjen e 4 hidrocentraleve, ndërsa vetë emëroi në Bordin e Bankës ish-ministrin që lidhet me këtë aferë...

Në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PS-së, Edi Rama i kërkoi SPAK-ut të hetojë privatizimin e 4 hidrocentraleve Shkopet, Ulëz, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, duke e cilësuar atë një akt kriminal kundër pasurive publike. Por qëndrimi i tij bie ndesh me faktin se në vitin 2018 ai propozoi dhe mbështeti emërimin e ish-ministrit të Financave Ridvan Bode në Bordin e Bankës së Shqipërisë, një prej figurave të lidhura me këtë privatizim. Rasti ngre pikëpyetje për koherencën politike të kryeministrit dhe për përdorimin selektiv të akuzave ndaj kundërshtarëve, ndërsa pazaret me figurat e vjetra të tranzicionit duket se vazhdojnë në heshtje.

Dyfytyrësia e kryeministrit Edi Rama për qëndrimin ndaj krimeve ekonomike dhe financiare që ka kryer ish-qeveria e Sali Berishës u shpërfaq edhe më e shëmtuar në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PS-së.

Gjatë fjalës së tij, Edi Rama i kujtoi SPAK-ut hetimin për shitjen e 4 HEC-eve, duke thënë:

Nëse duan të luftojnë korrupsionin, të marrin dosjen e privatizimit kriminal të 4 hidrocentraleve Shkopet, Ulëz, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, këtyre 4 veprave të ndërtuara nga populli, që i takonin vetëm popullit dhe ia dhanë një kompanie private.

Këtë thirrje të Edi Ramës drejtuar SPAK-ut, shqiptarët do ta besonin si “merak” të tij për pasuritë publike dhe ndëshkimin e atyre ish-qeveritarëve që i shitën, nëse kjo thirrje për drejtësi nuk do të ishte hipokrizi dhe dyfytyrësi e tij.

E themi këtë për faktin se ishte vetë kryeministri Edi Rama që emëroi anëtar bordi të Bankës së Shqipërisë ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, i cili bashkë me Sali Berishën e Ilir Metën bënë pazarin me kompaninë “Kurum” dhe pothuajse ia dhuruan 4 hidrocentralet Shkopet, Ulëz, Bistrica 1 dhe Bistrica 2.

Në muajin dhjetor 2018, Edi Rama çoi emrin e Ridvan Bodes për votim në Parlament, si propozim të PS-së dhe qeverisë, ku u mandatua për postin e anëtarit të Bordit të Bankës së Shqipërisë.

Gjatë viteve kur PS ishte në opozitë, Edi Rama u betua se do të çonte para drejtësisë ministrat e PD-LSI-së për vjedhje të pasurive publike dhe koncesione mafioze, duke përdorur edhe emrin e Ridvan Bodes si ministër “simbol korrupsioni e vjedhjesh”.

Por kabinetin e parë qeverisës në vitin 2013, Edi Rama e krijoi me partinë e Ilir Metës, të cilit i dha 4 ministri dhe 30% të pushtetit në nivel qendror e lokal, madje duke mbajtur edhe ish-ministra të pushtetit PD-LSI.

Kryeministri Edi Rama, gjatë 13 viteve në pushtet, nuk e kallëzoi Ridvan Boden për asnjë aferë privatizimi, vjedhjeje apo PPP-je, madje as për shitjen kriminale të 4 hidrocentraleve, siç e quan tani.

Nuk e kallëzoi Ridvan Boden as për vjedhjen e 30 milionë dollarëve, nëpërmjet mashtrimit me shitblerjen fiktive të ish-Hotel “Dajti”, duke e kaluar pronësinë nga qeveria te Banka e Shtetit, por përkundrazi e emëroi në Bordin e Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa me Sali Berishën, kryeministri Edi Rama po vazhdon pazaret e pista për të sunduar në politikë dhe pushtet, duke i servirur si marrëveshje politike për reformat integruese në BE dhe për mirëqenien e popullit.

Për shitjen e 4 hidrocentraleve filloi një hetim nga Prokuroria e Tiranës në vitin 2016, por u vendos mosfillimi i çështjes për mungesë vepre penale, ndërsa Edi Rama, dy vite më pas, ish-ministrin Ridvan Bode që i shiti, e emëroi në Bordin e Bankës së Shqipërisë.

Madje, Edi Rama po mban një vend bosh në Bordin e Bankës, duke mos propozuar anëtarin e tretë në emër të Këshillit të Ministrave, sepse është ende në pazare me oligarkë dhe me Sali Berishën, për t’i dhënë Ridvan Bodes mandatin e dytë 5-vjeçar./Pamfleti

hipokrizia e edi ramës ridvan bode

2 Komente

  1. l
    latifi

    Rama eshte plehre por me mire se e tregon fytyren e tij cdo dite, qe eshte nje populist qe tallet me kete popull injorant.

    1. J
      Jeta

      Duke parë sundimin e peshtire e kaq të gjate per gati 30 vite te Salehut dhe Ramutit, e kam te veshtire te besoj ne trimëritë e popullit shqiptar ashtu siç na e thonë librat e historisë. A ka ende injorant te atillë qe nuk e kuptojnë se Salehu e Ramuti janë bashk dhe kunder shqiptarëve dhe Shqipërisë?!

      Lini një Përgjigje