TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 1 Maj 2025, 18:12

Nga kreu i BKH te mandati i Dumanit, beteja nën rrogoz për kontrollin e luftës antikorrupsion!

Shkruar nga Pamfleti
Nga kreu i BKH te mandati i Dumanit, beteja nën rrogoz për kontrollin
Dumani-Hajnaj

SPAK ka në dorë kreun e ri të BKH, politika në aksion për të zgjedhur pasuesin e Dumanit...

SPAK ka shkundur nga themelet politikën dhe ky vit, duket se do të jetë vendimtar mbi fatin e këtij organi, sa i takon pavarësisë. Që kur u krijua SPAK, politika ka futur disa herë duart, teksa shumë prokurorë thuhet se kanë mbështetje të caktuar politike, qoftë majtas dhe qoftë djathtas.

Po ashtu një betejë e fortë ka ekzistuar nën rrogoz dhe për Byronë Kombëtare të Hetimit. Kjo e fundit u cilësua si FBI-ja shqiptare, por deri më tani ka shërbyer më shumë si polici gjyqësore.

Në krye të saj u emërua në vitin 2020 Aida Hajnaj, një emër i paralajmëruar. Hajnaj vinte nga radhët e policisë dhe nga aty kaloi në BKH. Opozita e akuzoi disa herë, duke cilësuar si një person të emëruar aty nga mazhoranca.

BKH ka pasur mjaft rol në operacionet dhe hetimet e SPAK, por realiteti është se raportet mes drejtueses dhe zyrtarëve apo krerëve të SPAK kanë qenë të ftohta. Aida Hajnaj ka pasur përplajse të forta me Arben Krajën kur ky i fundit drejtonte SPAK. Por mësohet se akulli ka vijuar edhe me Dumanin, i cili në raportimin e fundit shprehu zhgënjimi se ka mjaft agjentë që nuk është se e ndihmojnë shumë punën e SPAK. Në shumë raste ka pasur dhe përplasje lidhur me dosjet dhe mbledhjen e informacioneve.

Mirëpo teksa këtë vit është fundi i mandatit të Altin Dumanit, ka nisur një betejë e fortë për “kontrollin” e BKH. Aida Hajnjt i mbaron mandati në korrik dhe ka nisur një betejë ligjore mes saj dhe SPAK. Kjo e fundit ka hapur procedurat për emërimin e kreut të ri duke treguar kushtet dhe kriteret. Ndërkohë Hajnaj ka dorëzuar një kërkesë në KLP, ku kërkon riemërim në postin që mban, të drejtë që ja jep ligji. Këtu ka nisur dhe beteja. KLP i ka shmangur kërkesat e saj, ndërkohë që SPAK po punon për të emërur një drejtues të ri.

Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë”, thuhet në nenin 30.

Por SPAK ka mbajtur qëndrime të ndryshme. Një herë ka bërë shpalljen për drejtues të ri. Më pas reagoi në media duke bërë me dije se rihapja e garës ka të bëjë vetëm me zonjën Hajanaj, e cila duhet të aplikojë për rikandim dhe nëse nuk plotëson kushtet, hapet gara për emra të tjerë. Por në një letër dërguar ndërkombëtarëve, SPAK flet për emërimin e një emri të ri.

Pra duket se ka nisur një luftë mes SPAK dhe politikës për kontrollin e BKH. Prokurorët duan një emër tjetër. Hajnaj ka qenë pjesë e policisë dhe figura e saj është anatemuar. Pra sinjalet janë se SPAK do një figurë tjetër që BKH dhe Prokuroria të funksionojnë si një institucion kompakt.

Kjo betejë vjen në një kohë, kur pas pak kohësh do të nisë beteja për kreun e SPAK. Altin Dumanit i mbaron mandati në dhjetor. Ndërkombëtarët kanë propozuar që të bëhen ndryshime që t’i jepet e drejta e rikandimit, por deri më tani asnjë lëvizje dhe gjasat janë që në dhjetor të ketë ndërhyrje të forta për të vënë në atë post një person që të ketë kontroll politik. Duhet të presim dhe të shohim, por beteja ka nisur. Prokurorët duan të ruajnë integritetin, politika po luan gurët në prapaskenë për të shmangur ndëshkimin. /Pamfleti

Lini një Përgjigje