Ka pasur dëshmi se Diveroli i bënte pazaret me vetë djalin e kryeministrit të asaj kohe. Kjo ka dalë në disa përgjime që ju bënë atij dhe Kosta Trebickës...
Nuk kanë fund telashet për Fatmir Mediun dhe Shkëlzen Berishën sa i takon tragjedisë së Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu po gjykohet për këtë skandal dhe përmes manovrave ai po tenton të zgjasë procesin dhe t’ia hedhë paq, por që në fakt duket se vetëm sa po i hap telashe vetes.
Ai kërkoi pak javë më parë që të dëshmojnë në gjyq 90 persona, ndërsa vetë SPAK kërkoi 50 persona. Ndërkohë sot kanë qenë familjarët e viktimave që kanë kërkuar dëshminë e 12 personave: Spiro Zaka; Shpëtim Spahiu; Fiqiri Ismaili; Zija Bahja; Kristaq Arapi; Flamur Skrapalliu; Efraim Diveroli; David Packouz; Lavdi Shatro; Fiqiret Mato dhe Luan Duzha.
Ajo që tërheq vëmendje është se avokati Dorian Matlia ka kërkuar të thirren drejtuesit e kompanisë “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz.
Efraim Diveroli, është njëri nga sipërmarrësit që bleu fishekët nga ministria e Mbrojtjes, u burgos në Amerikë, pranoi të dëshmojë për drejtësinë, u bë personazh i një libri bestseller, por edhe i një filmi në Hollywood, ku edhe është skanuar e gjithë afera e Gërdecit.
Prokurorët thanë që Diveroli pranoi që ilegalisht ka transportuar rreth 90 milionë plumba kineze për forcat afgane që janë aleate të forcave amerikane.
Kontrata me Pentagonin nuk lejonte marrjen e mjeteve ushtarake kineze. Ndërkohë, municionet ishin ripaketuar që të dukeshin sikur Shqipëria ishte vendburimi i tyre. Për të fshehur origjinën, Diveroli i ripaketonte dhe i shiste ato, sikur të ishin prodhuar në Shqipëri.
Ky lloj biznesi kryhej në fabrikën e Gërdecit, ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik më 15 mars të 2008-ës, që i mori jetën 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Por ka pasur dëshmi se Diveroli pazaret i bënte me vetë djalin e kryeministrit të asaj kohe. Kjo i ka dalë në disa përgjime që ju bënë atij dhe Kosta Trebickës.
“Ose ai është mafia ose mafia po e kontrollon atë. Ai është një problem më vete, por problemi kryesor është se unë nuk kam asnjë zgjedhje për të bërë. Më duhet të bëj një marrëveshje me të. Qeveria amerikane është në pritje të produkteve. Nuk mund të marr asnjë vendim”, shprehej ai.
Ndërkohë është kërkuar dëshmia e David Packouz, zëvendësit të Diverolit. Pak kohë më parë ai ka folur në mediat shqiptare dhe ka akuzuar drejtpërdrejt Shkëlzen Berishën.
“Efraimi shkon në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni që donte qeveria ta shiste. Ai u takua me Pinarin, ky takim është dhe në libër, dhe për këtë na paditi zoti Berisha (Shkëlzeni). U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin.
Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Europë. Megjithatë e dimë se bën edhe ripaketimin, dhe ke punësuar këtë tipin që nuk është pjesë e organizatës tonë, dhe po i paguan atij goxha para”, ka treguar ai.
Bisedat e përgjuara mes Trebickës dhe Diverolit
-Trebicka: Çfarë po ndodh me mikun tënd Pinari?
-Diveroli: Nuk e di, ti më trego, a e bëre marrëveshjen me të për kutitë?
-Trebicka: Nuk dua të bëj marrëveshje me të, ti e di se ai është një horr, ti vetë më pate thënë se ai është një mafioz, apo jo?
-Diveroli: Mendoj se po, ose ai është mafia ose mafia po e kontrollon atë. Ai është një problem më vete, por problemi kryesor është se unë nuk kam asnjë zgjedhje për të bërë. Më duhet të bëj një marrëveshje me të. Qeveria amerikane është në pritje të produkteve. Nuk mund të marr asnjë vendim.
-Diveroli: Çfarë po ndodh me këtë gjënë e rrezikshme këtu.. (bisedë e padeshifrueshme për —-
-Pinarin: … OK, Kosta, kompania që po bën paketimin mund të kërkojë të blejë materialin tënd paketues. Më duhet të prish marrëveshjen.
-Trebicka: Cila kompani është kjo, është akoma Delijorgji?
-Diverolli: As nuk e kam idenë fare, po presim që Pinari të na japë detaje në lidhje me këtë kompani. Do të bëj maksimumin që kjo shitje të realizohet.
-Diveroli: …(Disa biseda për shërbimet, që ai është i supozuar të bëjë për Diverolin). Jam treguar 100% i ndershëm me ty. Nuk ta hoqa unë këtë punë. E kupton këtë? S’kam lidhje fare me këtë çështje. Edhe pse Pinari më ka pyetur, madje më ka bërë presion, unë s’e kam mbështetur asnjëherë një vendim të tillë. Jam shumë i mërzitur dhe shumë i shqetësuar.
-Trebicka: Është duke punuar ende me Henry Tomein?
-Diveroli: Mendoj se është ende duke punuar Henri. Unë jam ende duke punuar me Henrin. Më duhet të punoj me Henrin. Unë po punoj me Henrin.
-Diveroli: Unë jam ndryshe nga Henri, nuk mund të bëj shaka me mafien e Delijorgjin dhe me ato dreq njerëzish nga Shqipëria… Unë jam një kompani amerikane, punoj për qeverinë, të gjithë i kanë sytë nga unë. Pinari ka nevojë për një tip si Henri në këtë mes, që të kujdeset për të dhe për shokët e tij, gjë që nuk më intereson aspak. Unë nuk dua t’ia di rreth këtij biznesi, unë dua t’ia di për biznesin e ligjshëm. Kjo është ajo që unë ndjej për këtë situatë, kjo është ideja ime, ky është opinioni im.
-Trebicka: … por unë mendoj se me Pinarin, shokët e tij mafiozë, Delijorgjin dhe Henrin, do të jetë e vështirë për ty që të vazhdosh përpara, pasi ata do të të krijojnë shumë probleme… Sipas gjasave unë do të ftohem në Uashington DC nga zyrtarë të CIA-s dhe nga disa miq të mi atje… Pas dy javësh do të vij në Florida që të shtrëngoj duart me ty dhe të diskutoj për marrëveshjet e të ardhmes.
-Diveroli: Më pëlqen kjo, le ta bëjmë.
-Diveroli: Aktualisht, kam një marrëveshje mjaft të mirë në Serbi dhe kam nevojë për financim…. Kosta, Kosta, mbase kam një ide … që ti mund të mbarosh së paketuari, për shembull, dy milionë e gjysmat që më ke borxh… Pinari dhe Delijorgji do të vënë re se tashmë operacioni yt është duke ecur mirë dhe mendoj se ata nuk do të duan ta prishin marrëveshjen, kështu që do ta blejnë materialin nga ty. Ata nuk kanë pse të sillen vërdallë dhe të shkojnë deri në Maqedoni për të gjetur material. Mendoj, mbase kjo është një ide e mirë. A mendon se Pinari do ta bëjë këtë punë?
-Trebicka: Kam gjetur partnerë të mirë dhe mendoj se mund ta vazhdoj punën. Unë nuk di gjë për Pinarin, Delijorgjin dhe mafien e tij. Nëse ata duan ende të punojnë me mua, unë nuk do të flas. Do ta mbaj gojën të mbyllur. Do të bëj çfarëdo që të më thuash.
-Diveroli: E kuptoj… Vetëm se po të them, unë të mbroj ty dhe ti më mbron mua nga këto gjëra. Më lër të flas me Pinarin, ai e di se duhet ta bëjë ai paketimin. Sepse ai është duke të hequr nga pozicioni yt. Nëse ai nuk e bën dot këtë detyrë siç duhet, ai do të jetë në telashe të mëdha, nga të gjithë. Kështu që mbase ai do të nervozohet duke qenë se Delijorgji nuk e bën dot këtë punë, gjithsesi. Kjo është çështja më e mirë, kjo është ëndrra ime.
-Diveroli: Kështu që na duhet ta realizojmë shitjen e këtij materiali. Pastaj, të paktën unë nuk jam i ekspozuar dhe ti nuk je i ekspozuar, apo jo? Këtë herë është opsioni A, apo opsioni B. Duhet të hyjmë vetëm në njërën derë, nuk jemi të sigurt se cila është. Pse nuk shkon t’ia puthësh bythën edhe një herë atij Pinarit, tani. Telefonoje, lutju, puthe, bëj ç’të duash. Dërgo njërën nga vajzat e tua. Ta bëjmë atë të lumtur. Ndoshta ai do të të japë një tjetër mundësi që ta bësh këtë punë. Si thua? Mbase ai nuk është i organizuar, mbase do të nervozohet – (duke folur si të ishte Pinari). Ti e di, nëse nuk e marr këtë punë, pastaj do ta humbas biznesin e municioneve. Mbase ne mund të luajmë me atë që ai ka frikë. Hajde Pinari, më jep edhe një shans tjetër. Jepini atij para, futini diçka në xhep… Dhe ai nuk do të marrë shumë. Nëse merr $ 20.000 nga ty.
-Diveroli: Unë mund ta bëj një gjë të tillë. Më thuaj nesër se çfarë do të bëhet…. Ta ndajmë, do të bëjmë planin A apo B? Unë do të flas me Pinarin, ti do të flasësh me Pinarin dhe ne do të marrim një vendim. Pastaj do të kalojmë te marrëveshja tjetër.
-Diveroli: Më shumë, më shumë, kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë… /Pamfleti