
SPAK procedim individual ndaj “Bankers Petroleum” si person juridik, kompania nuk përfiton dot nga ligji i paqes fiskale...
Prokuroria e Posaçme ka bllokuar mundësinë e amnistisë fiskale për “Bankers Petroleum”. Në fund të vitit që lamë pas, Kuvendi miratoi dy projektligje: “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë” dhe “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.
Sipas ligjit të parë, borxhet që datojnë nga më shumë se një dekadë më parë do të anulohen plotësisht. Një ndër kompanitë që ka detyrime të shumta ndaj shtetit është “Bankers Petroleum”. Ajo ka detyrime doganore dhe një gjobë me vlerë 120 milionë euro, të vendosura për mashtrim fiskal-doganor. Po ashtu është përfolur si përfituesja më e madhe e kësaj skeme.
Por SPAK duket se ka bllokuar çdo lloj pazari. Në programin e transparencës, SPAK është pyetur nëse ka regjistruar procedim penal për subjektin juridik “Bankers Petroleum” si tatimpagues me NIPT-in L43128401L, kjo për faktin se ligji i paqes fiskale nuk lejon të përfitojnë kompanitë që janë nën hetim. SPAK ka konfirmuar se ka regjistruar procedim penal individual ndaj “Bankers” si person juridik, para se ligji të hynte në fuqi.
“Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për subjektin ‘Bankers Petroleum’, i dyshuar për kryerjen e veprave penale: ‘Fshehje e të ardhurave’, ‘Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’, të parashikuara nga nenet 180/3 dhe 144/a të Kodit Penal”, thekson SPAK.
Sipas ligjit, nëse kompania po hetohet penalisht për vepra tatimore si mashtrim dhe ose evazion, apo ka një dënim të formës së prerë për fshehje të të ardhurave apo pastrim parash, skualifikohet menjëherë. Bëhet fjalë pikërisht për dy veprat mbi të cilat SPAK ka regjistruar procedim penal. Kjo do të thotë se “Bankers” nuk hyn dot në marrëveshje fiskale me Tatimet.
Pra duket se SPAK ka djegur çdo lloj pazari që mund të ketë qenë duke u bërë në prapaskenë. “Pamfleti” ka raportuar para se të miratohej paqja fiskale se, në fillim të nëntorit 2025, Dogana e Fierit i ka ridërguar kompanisë “Bankers” njoftimin për shlyerjen e detyrimit brenda datës 22 dhjetor, por ka pasur manovra nga qeveria për të hyrë në pazare për shkak të ligjit në fjalë. Mirëpo SPAK i ka paraprirë situatës. Sot “Bankers Petroleum” figuron si person juridik nën hetim.
Nga ana tjetër, janë thelluar hetimet. SPAK ka shtrirë hetimet deri në Austri, pasi rezulton se “Bankers” ka përdorur selinë qendrore të “Raiffeisen Bank” për të kryer transferta. SPAK ka dërguar letër-porosi në Austri për të siguruar të dhënat e transaksioneve.
Po ashtu, në Shqipëri po kryhen hetime edhe ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Përveç dy veprave më sipër, SPAK po heton edhe për: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; “Shpërdorimi i detyrës”; “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”; “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Më 3 korrik, Prokuroria e Fierit bastisi zyrat e “Bankers”. Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 masa sigurie. Dosja më pas kaloi te SPAK.
“Bankers Petroleum” dyshohet se gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim që në bilancet vjetore të rezultonte me humbje. Kjo skemë i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë dëm. /Pamfleti
Dosja Bankers test per Drejtesine . A do arrije Spak te vere para Drejtesise keta hajdut te frikshem qe ne bashkepunim me politiken kane vjedhur miliona euro ne tere keto Vite ? A do te zbuloje emrat e ministrave dhe politikaneve dhe ti Shpjere para Drejesise ? A po thjesht keto miliarda lek qe jane vjedhur do te benin te tyren do te nxirrnin jashte loje dhe SPAKUN ? Koha do tu jape nje pergjigje te sakte te gjitha ketyre pyetjeve dhe do tregoje nese SPAK funsionon apo thjesht nje Show ?
Mos i lini hakjdutët e qeveris hajdute të shpëtojnë. Ndihmojeni këtë popull o drejtësi vetëm te ju është shpresa.
Vec me merjen e lekëve te ktyre do rriteshin pensionet e rrogat e cdo shtrese ne shqipëri