Miku i kryeministrit, me dosje ndërkombëtare për drogë e kontrabandë, ka investuar 210 milionë euro në fabrika, resorte e hotele, ndërsa fitimet e tij 12-vjeçare janë vetëm 10.2 milionë. SPAK nuk heton burimet e financimit, por SHISH dhe DEA kanë raportuar se paratë vijnë nga trafiqet, kontrabanda dhe fajdeja. Në mars 2022, vetë Luca u ankua se bankat nuk i jepnin kredi; atëherë, ku i gjeti 210 milionët?
Fakti që pronari i kompanisë "Rozafa", Gjergj Luca, është me disa dosje shqiptare e ndërkombëtare për trafik droge e kontrabandë, si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, duhet të jetë objekt gjurmimi e hetimi nga SPAK, për burimet financiare të investimeve të shumta që po kryen.
Si indicie duhet të shërbejë e vërteta se, pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, i vetëdeklaruar si mik i trafikanit Gjergj Luca, kompania "Rozafa" ka kryer rreth 210 milionë euro investime në vitet 2016-2025 dhe po vazhdon të investojë.
Ka ndërtuar dhe po ndërton fabrika, restorante, resorte e qendra peshkimi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Sarandë, Shëngjin, Maliq, Fier, Gramsh etj., mbi objekte, troje, liqene e hapësira detare publike, të cilat ia ka dhuruar kryeministri Edi Rama me vendime qeverie të personalizuara.
Përveç mos hetimit të pasurive publike me miliarda euro që i ka grabitur me kontrata "1 Euro" në emër të kompanisë "Rozafa", SPAK nuk po heton burimet e financimeve që trafikanti Gjergj Luca ka investuar për bizneset e tij.
Sipas akt-vlerësimeve, ai ka investuar rreth 210 milionë euro, kur sipas bilanceve të dorëzuara në Tatime dhe të pasqyruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania "Rozafa" e trafikanit Gjergj Luca, gjatë 12 viteve ka mesatarisht nga 1 milionë euro fitime vjetore.
Në vitin 2016, kur miku i tij kryeministër Edi Rama filloi t'i dhuronte pasuritë shtetërore me kontrata "1 Euro", Gjergj Luca kishte 220 mijë euro fitim; në vitin 2013 kishte 34 mijë euro fitim; në vitin 2014 kishte 51 mijë euro fitim, ndërsa në vitin 2025 kishte 6130 euro humbje.
Një pyetje me logjikë ekonomike, si provë dhe indicie për SPAK-un:
· Ku i gjeti trafikanti Gjergj Luca rreth 210 milionë euro të investuara për fabrika, restorante, resorte, hotele, qendra peshkimi e blerje anijesh, kur gjatë viteve 2014-2025 ka pasur 10.2 milionë euro fitime në total, ose sa 5% e vlerës së investimeve, madje brenda vlerës së fitimeve është dhe 15% tatim-fitimi?
Referuar protestës së Gjergj Lucës para bankave private në muajin mars 2022, se nuk i jepnin kredi ngaqë kishte humbur besimin si klient, SPAK ka tagrin dhe detyrimin ligjor që, në zbatim të Ligjit "Anti-mafia", të hetojë nëse këto 210 milionë euro të investuara i ka marrë apo jo kredi në banka dhe sa ka marrë realisht.
Sepse SHISH, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe shërbimet gjurmuese anti-krim kanë raportuar se Gjergj Luca i ka burimet nga trafiqet, kontrabanda, nga fajdet me individë e grupe kriminale, nga trafikimi i afrikanëve me kontrata si gjoja për punësim te kompania "Rozafa", dhe marifete të tjera për të cilat do të flasim në vijim.
Indicie është dhe arsyeja pse Gjergj Luca, më 23 shkurt 2026, shkarkoi nga detyra e administratorit nipin Ritvan Gjergji, pasi u dekonspirua për shumë punë të pista në favor të Gjergj Lucës.
Në vend të tij, riktheu Lisena Metoshin (Gjini), ish-anëtare e PS-së në Këshillin Bashkiak të Elbasanit gjatë mandatit 2019-2023, dhe ish-administratore e kompanisë "Rozafa" nga korriku 2018 deri në qershor 2021, kur DEA dhe Europol dërguan një dosje për Gjergj Lucën./Pamfleti
Për të shlyer 210 milionë në kohën optimale, ai duhet të fitojë të paktën 18 milionë euro neto. Mbi këtë shumë, EBITDA e tij mund të jetë 30 milionë euro. Pra, ai duhet të paguajë taksë mbi të ardhurat vjetore prej rreth 4 milionë eurosh. A i kishte të gjitha këto në dokumente? Nëse jo, ai duhet të marrë ÇMIMIN NOBEL për "Investitorin më të Mirë".