Shqipëria ndodhet përpara një sfide të madhe politike dhe morale më 11 Maj. Përballë zgjedhjes së detyruar mes dy figurave të vjetra që simbolizojnë korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga krimi, nevoja për një lëvizje të re politike që të pastrojë vendin nga marrëveshjet e fshehta dhe elitat e tranzicionit është urgjente dhe e domosdoshme.
Teksa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet e 11 Majit, vendi gjendet në një udhëkryq politik, historik dhe moral të paprecedentë. Mbi tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria vazhdon të jetë peng i të njëjtave figura politike dhe i praktikave korruptive e kriminale që e kanë mbajtur në vendnumëro që nga fillimi i tranzicionit.
Ndryshe nga fqinjët dhe pjesa më e madhe e ish-bllokut lindor, Shqipëria mbetet ende e dominuar nga figura që jo vetëm nuk kanë sjellë zhvillim, por janë bërë simbol i korrupsionit të hapur, kapjes së institucioneve nga krimi dhe degradimit të demokracisë.
Në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do të jenë të detyruar sërish të zgjedhin mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Berisha, që e nisi karrierën politike si sekretar partie me ëndrrën për t’i dhënë dorën Enver Hoxhës, mbetet simbol i politikës së korrupsionit të lartë, i skandaleve të shumta dhe konflikteve që kanë shkatërruar stabilitetin dhe integritetin e vendit. Në krahun tjetër, Rama, një pinjoll i regjimit të vjetër komunist, i njohur për arrogancën dhe praktikën e kapjes së shtetit, është kthyer në sinonim të aleancës së errët mes pushtetit dhe krimit të organizuar.
Kapja e shtetit nga krimi, korrupsioni sistematik në tenderat publikë, manipulimi i sistemit të drejtësisë dhe varfërimi i qytetarëve janë realitete që e bëjnë zgjedhjen e 11 Majit një moment kritik. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ushqehet me 'gjellën e qenve' që gatuhet në kuzhinat e ndyra të Katovicës, ku prej më shumë se tre dekadash marrëveshjet e fshehta dhe kompromiset e ndyra politike mbajnë në jetë elitën e vjetër.
Katovica, një metaforë e errët për marrëveshjet dhe konsensusin e fshehtë mes elitave politike të vjetra komuniste dhe post-komuniste, mbetet burim i stanjacionit politik dhe ekonomik në Shqipëri. Është e qartë se ndryshimi real nuk mund të vijë duke ricikluar këto figura dhe këto praktika.
Në këto kushte, nevoja për një lëvizje transversale në politikë është më urgjente se kurrë. Shqipërisë i duhet një front i gjerë politik dhe qytetar që synon pastrimin e vendit nga këto elita të vjetra, krijimin e një klase politike të re dhe vendosjen e bazave të një demokracie funksionale, transparente dhe të përgjegjshme. Vetëm kështu, vendi do të mund të shkëputet përfundimisht nga zinxhiri i tranzicionit të pafundëm dhe të ndërtojë një të ardhme dinjitoze për të gjithë qytetarët e tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje