
Vendosja e rritjes së tarifave nga Trump ndaj Kinës, është përballur me kundërshtim dhe jo me diskutime.
“Liria e tregtisë midis kombeve, është një faktor thelbësor në sigurimin dhe ruajtjen e paqes në botë. Historia na jep shumë dëshmi se luftërat kanë qenë kryesisht rezultat i luftës për tregje, i protestave kundër barrierave dhe i ndalimeve tarifore”, u shpreh në një deklaratë të saj Lidhja e Tregtisë së Lirë në SHBA.
Ishte viti 1921 dhe apeli i saj ra në vesh të shurdhër. Tarifat dhe barrierat tregtare, përfshirë ato të vendosura nga Shtetet e Bashkuara në vitet në vijim, formuan një mjedis global që ndihmoi në krijimin e terrenit për shkuarjen e botës drejt Luftës së Dytë Botërore.
Akoma më drejtpërdrejt, embargoja amerikane ndaj Japonisë në lidhje me naftën në mesin e vitit 1941, ishte një nxitje për sulmin japonez ndaj bazës ushtarak në Pearl Harbor, që solli edhe futjen e Shteteve të Bashkuara në atë luftë.
Të paktën që nga koha e Greqisë së Lashtë, tarifat dhe kufizimet tregtare kanë qenë një faktor kryesor i fillimit të luftërave. Ndërsa presidenti i sotëm i SHBA-së, Donald Trump po vendos tarifa ndaj mbarë botës, dhe veçanërisht ndaj rivales më të madhe të Amerikës, Kinës, ngrihet me të drejtë pyetja nëse do të ndodhë sërish kështu.
“Duke pasur parasysh se sa shpejt i kemi parë të përkeqësohen marrëdhëniet SHBA-Kanada, që nga shpallja e tarifave ndëshkuese nga Trump vetëm disa muaj më parë, është e lehtë të imagjinohet sesi, historikisht, konfliktet tregtare mund të shtojnë tensionet nacionaliste, rivalitetin gjeopolitik dhe të rrisin mundësinë e konfliktit ushtarak”, thotë historiani i Universitetit Exeter, Marc-William Palen.
“Sigurisht, kjo situatë përfshihet në një zonë gri që rrethon korrelacionin përkundrejt shkakut, por shumica e aktivistëve të paqes dhe anti-imperialistëve që nga mesi i shekullit XIX-të, kanë argumentuar se tarifat mbrojtëse, embargot dhe sanksionet çojnë në luftëra tregtare dhe i kthejnë shumë shpejt aleatët në armiq”, vazhdon më tej ai.
Ndër shembujt më të hershëm, janë sanksionet ekonomike dhe kufizimet tregtare të vendosura nga Athina në vitin 430 Para Krishtit mbi qytetin-shtet Megara, një aleate e Spartës, sipas të ashtuquajturit Dekreti Megarian. Ishte një faktor nxitës në Luftërat e Peloponezit që e pasuan.
Luftërat e tjera të lidhura me tarifat, tregtinë dhe taksat, përfshijnë ato midis anglezëve dhe holandezëve në shekullin XVII-të, Luftë Revolucionare Amerikane dhe luftën e vitit 1812, pasi britanikët i ndaluan amerikanët të hynin në tregjet e huaja fitimprurëse.
Palen përmend edhe luftën tarifore midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë, si një faktor në fillimin e Luftës së Parë Botërore. ”Historia është e mbushur me shembuj të mosmarrëveshjeve tregtare që përshkallëzohen në konflikt të armatosur. Është një pretendim që nuk duhet ekzagjeruar, por në të ka shumë të vërteta”, thuhet në faqen e internetit e Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila u krijua pas Luftës së Dytë Botërore pjesërisht për të shmangur përsëritjen e tensioneve tregtare të paraluftës.
Ashtu si në rastin e Shteteve të Bashkuara dikur dominuese dhe Kinës që po militarizohet me shpejtësi, luftërat tregtare mund të jenë pjesë e një konkurrence të përgjithshme për pushtet dhe për këtë arsye edhe një tregues i armiqësive që do të vijnë si shkak i tyre.
“Është shumë më e lehtë të gjesh shembuj të luftërave që çojnë në barriera tregtare, sesa e kundërta. Dhe luftërat janë zakonisht produkt i shumë faktorëve, ndaj është e rëndësishme të mos ekzagjerohet ndikimi i barrierave tregtare si një faktor shkakësor”, thotë Kevin O’Rourke nga CNRS dhe Sciences Po në Paris.
Gjithsesi, sipas tij barrierat tregtare mund të rrisin tensionet midis vendeve, forcojnë nacionalizmin dhe fuqizojnë ata që kërkojnë përplasje. Pavarësisht nëse ky ishte apo jo qëllimi, vendosja e rritjes së tarifave nga Trump ndaj Kinës, është përballur me kundërshtim dhe jo me diskutime.
“Në thelb, tani Kina po thotë se është e përgatitur të luftojë deri në fund: luftë tregtare, luftë tarifore, luftë teknologjike ose luftë reale”, tha për televizionin “Al Arabiya”, Victor Gao i Qendrës për Kinën dhe Globalizimin, një institut kërkimor në Pekin.
Dëmtimi i tregjeve si rezultat i një lufte tregtare, mund të heqë edhe një pengesë për konfliktin, pasi ekonomitë e lidhura ngushtë midis tyre, mund të kenë më pak gjasa të shkojnë në luftë, për shkak të rrezikut të dëmit me të cilin mund të përballen.
Nëse dëmi është bërë tashmë dhe ekonomitë janë në thelb të shkëputura nga njëra-tjetra, atëherë ka më pak rrezik shtesë për t’u marrë parasysh para një përplasjeje të drejtpërdrejtë. Me kërcënimet e tarifave të SHBA-së deri në 245 për qind, rreziku për tregtinë nuk është se ajo bëhet më e shtrenjtë, por se mund të ndërpritet plotësisht.
Kufizimet tregtare janë gjithashtu një temë e ndjeshme për Kinën. Udhëheqësit e Partisë Komuniste kanë folur prej kohësh për ”Shekullin e Poshtërimit” që Kina përjetoi, kur pasi tregjet e saj u detyruan të hapeshin ndaj fuqive perandorake britanike dhe perëndimore, të cilat kërkonin të shisnin opium dhe mallra të tjera në shekullin XIX-të.
Tani Trump po e akuzon Kinën për kufizimin e tregut të saj të brendshëm për SHBA-në dhe eksportuesit e tjerë të huaj, si dhe për vjedhje të pronës intelektuale, manipulim të monedhës dhe subvencione ndaj kompanive që i japin asaj një avantazh të padrejtë ekonomik, i cili po merr vendet e punës në SHBA dhe po e ndihmon atë të financojë ngritjen e një ushtrie të madhe, e cila që po e sfidon hapur atë të Shteteve të Bashkuara.
“Kujtesa historike e Kinës, është më e fortë se shumica e vendeve. Që kur fuqitë perandorake evropiane përdorën luftanijet e tyre për të detyruar hapjen e tregjeve kineze gjatë shekullit XIX-të, qeveritë e mëvonshme kineze kanë mbetur shumë të ndjeshme ndaj çdo politike tregtare perëndimore të perceptuar si shtrënguese ndaj tyre. Ndërsa lufta në rritje tarifore midis SHBA-së dhe Kinës nuk e bën të sigurt konfliktin ushtarak, ajo e bën më të mundshëm këtë skenar”, thekson Palen./ Përshtati "Pamfleti" nga “Newsweek”
Lini një Përgjigje