Editorial 1 Qershor 2023, 11:47

Altin Dumanit i ngel “hala” në fyt

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Altin Dumanit i ngel “hala” në fyt
Altin Dumani

As në formularin e dekriminalizimit nuk është paraparë të pyetet tjetri, a të ka ngelur ndonjë halë peshku në fyt e nëse po, kush ta ka nxjerrë?!

Hallin e ambasadores amerikane mos e pastë as armiku! Babloku ja ka “djegur” kartat që kur hipi mbi “gomar” e dha lajmin, se vizat “shiten” në “sportelet” e politikës, kualifikimi kolaudohet në rripat që ngjesh ai mbi kosharet e të vjelave, cilësinë dhe sasinë e vjedhjes dhe blerjes së votave.

Që të mos shkruajmë në rripa të ngushtë, ku mëkatet zihen për vend e mund të na ndyjnë ndonjë germë, rrekemi ta lidhim “miun” që kërcen si i droguar në kompjuter, në “hurin” e fundit që i nguli Mafies ambasadorja Yuri Kim. Mbi hu, lëkurës së bardhë e nënlëkurës së zezë të Altin Dumanit, u lëshuan gjithë vështrimet e vërshimet gjithsesi.

Babloku ndjeu “dhimbje.

Lajmëroi të vetët se huri hyri në “vrimën” e keqe, dhe në zgjedhjet e para e bëri slogan politik, “kurrë më mbrapa, vetëm përpara”.

Në hu ishin lidhur investimet qysh me ambasadorin Lu. 

Sot, si çdo mot, as Altin Dumani, as ambasadorja amerikane që e zgjodhi për peshkatarin më të mirë të fshatit, nuk mund të fajësohen se nuk po bie në “grep” të drejtësisë asnjë Peshk i madh. Ata nuk kishin si ta dinin një element të dhimbshëm nga “fëmijëria” e kryeprokurorit. As në formularin e dekriminalizimit nuk është paraparë të pyetet tjetri, a të ka ngelur ndonjë halë peshku në fyt e nëse po, kush ta ka nxjerrë?!

Bisturitë e Sali Berishës dhe përkujdesja e Bablokut, nuk u kanë munguar asnjë prokurori, hetuesi, gjykatësi, gazetari apo diplomati, që “fatkeqësinë” e vet e kanë bërë karrierë e fudullëkun fuqi. Ti thua se bisturitë e politikës janë thjeshtë gërshërë që drejtësia nuk i pranon as t’u qethin “leshin”.

Mos u besoni deklaratave, o fshatarët e mi.

Adriatik Llalla dhe Arben Kraja vërtetë nuk afroheshin tek Peshqit e mëdhenj, se kishin frikë Bablokun e Saliun, po ky Dumani edhe t’ia çosh në pjatancë,  ikën me vrap. Kujton atë “halën” që i kish ngecur në fyt tek kursi Plepave, ku shumë “peshkatarë” janë stërvitur me “kallam” që ta thyen për kokë politika. Nuk ka zemër t’i prekë, as të pijë kafe me ta, se i kanë halat e forta. Në këtë mol, a dini ndonjë që nuk ka vilë luksoze e të paktën një milion dollarë?!

E jo vetëm këtyre, që halat i kanë si thika, por as Pandeli Majkos nuk ka zë t’i përgjigjet për përplasjet në drejtim të zbatimit të ligjit dhe kafet që nuk i pi as me shokët.

Po pse paguhet kot ky?!

Sa herë kjo pyetje ja çan daullen mllefit, Dumani kap ca peshq që ua ka pastruar halat ose Ilir Meta, ose Sali Berisha, ose Babloku. Dy peshq të rritur e majmur në akuariumin e LSI-së, Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon, SPAK-u i kapi vetëm pasi u pastruan e s’kishin dhëmbë në gojë.

Po leftatë, ja pastruan Qifes e Terit?!

Ah jo, SPAK-u nuk është për punë të zorshme. As inceneratorët që përditë vjedhin publikisht miliona dollarë për punë që nuk bëhen, e tha me gojën e vet kryeprokurori, nuk i nguc, se është vështirë të hetosh aty. Votat që mori Lali Eri janë roje të hajdutërive. Që të mos zgjatemi, le ta lidhim “miun” tek turi i falënderimeve me Këshillin e Lartë Gjyqësor, që shqiptarët e urrejnë e vetë deklarojmë në “formularin” e këtij shkrimi të vërtetën; Yuri Kim në hall, Altin Dumanit i ngel “hala e Peshkut” në fyt!/Pamfleti

altin dumani "hala" në fyt yuri kim