Editorial30 Maj 2023, 10:04

Yuri Kim dhe Luizi, dy modele në turin e falënderimeve

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Yuri Kim dhe Luizi, dy modele në turin e falënderimeve

Ne gjithë turet e falënderimeve Babloku dhe fansat e tij janë Luizizuar. Vishen si ai, bëjnë hoka si ai, xhirojnë gomat e makinave të shtrenjta dhe kanë afër edhe femra të bukura...

Në njërën nga shqipëritë tona jetojnë të “huaj”, qeveritarët më të pasur të Botës, në tjetrën autoktonët, banorët më të varfër jo vetëm të Globit, por edhe të para ardhësve prehistorik.

Njëra Shqipëri po Yurikimizohet, tjera pa Luizizohet. Një ishull i vogël po Zelenskyzohet. Pas kësaj mode janë mbërthyer gjithë shijet e energjitë e Amazonave dhe Vikingëve të fshatit. Në vend të plasë “Peshku” e të akuzuarit të jenë para drejtësisë, janë “shqepur” fare vrullet e falënderimeve dhe modelet e veshjeve.  

Kur vjedh pa hesap, pse të mos vishesh me sqimë dhe unik?!

Lulzim Basha, me T-shirt ala Volodymyr Zelensky, nuk ngjall kureshtje në falënderimet me të vetët që ndihmuan në votime Bablokun me dosje penale në Amerikë, se “lufta” e tij nuk dihet si përfundon.

Basha është shumë larg të tjerëve, ndaj nuk e ndjekin fshatarët as si format, as si model. Nuk prodhon më shumë se meme rrjetesh sociale ky pasanik i Ballkanit.

Shijet janë orientuar nga Yurikimizimi dhe Luizizimi.

Ja, pasi ambasadorja amerikane Yuri Kim i shndërroi femrat e kupolës nga dorëlëshuara për veshjet ekstravagante, nga reklamimi i hireve femërore dhe predominimi i tendencave degjeneruese, në dorë shtrënguara e të kujdesshme, të paraqiten si ajo, nga Big Brother i Arbanës, u shkëput një Yll që ndikoi edhe në veshjet e meshkujve të rrugës.   

Femrat e kupolës, Belinda e Ballukëve, Olta e Xhaçkajve, Monika e Vilave luksoze, çdo zyrtare, prokurore, gjykatëse, mafioze, nuk nxjerrin kërthizat, por studiojnë deri në detajet më të imta veshjen, make-up’in, dhe sjelljet e ambasadores amerikane.

Në të tëra takimet, ato justifikojnë jo vetëm “agresivitetin” e aparencës, por edhe parfumet, modelin e veshjes, buzëqeshjen, ngritjen apo uljen e vetullave dhe syve, pozicionin e duarve e këmbëve para Blitz’eve, si ambasadorja.

Mirë bëjnë, serioziteti mbulon falsitetin.

Me një makijazh alla perëndimor, mbulohen pasuritë, jeta luksoze, haremi i shfrenuar e mbyllen gojët e liga të fshatit. Askush, as prokurorët e SPAK-ut, nuk i ngrenë sytë më lart se gjuri i tyre. Nuk shihen tashmë bizhutë, makinat, orët, vilat, llogaritë bankare, pronat që ua kanë grabitur shqiptarëve.

Autoriteti i moralit dhe morali i autoritetit, shfaqen si ‘made in Yuri Kim’ dhe pikë e zezë që do ta zbardhim me shfletimin e dosjes McGonigal, në këtë “stinë” të lëvizjes së ca pllakave tektonike në konturet e diplomacisë amerikane.

E lamë në fund Luizin, pasi po, ka më shumë fansa.

Modeli më i lakmuar i ‘Vip’-llëkut, ka formësuar një kallëp morali shoqëror, nga sjelljet e deri tek veshjet, nga Vermoshi në Konispol.

Vetë kryeministri ka veshur bluzën e Luizit. Ne gjithë turet e falënderimeve Babloku dhe fansat e tij janë Luizizuar. Vishen si ai, bëjnë hoka si ai, xhirojnë gomat e makinave të shtrenjta dhe kanë afër edhe femra të bukura.

Pra, kështu miqtë tanë që lëpijnë prej vitesh “buzët” kur do kapen këta “Peshqit” grabitqarë, le të “përtypim” vogëlsira edhe ca ditë që të na vijë një “dhuratë” nga dy partitë në Amerikë për Bablokun, le të ndjekim me qetësi shfaqje rurale, pra, Yuri Kim-et dhe Luiz-ët në turin e falënderimeve./Pamfleti

yuri kim luis ejlli turi i falenderimeve